Janar 13, 2024 10:24 Europe/Tirane
  • Aventurë e re e SHBA-së, kësaj radhe në Jemen

Një ditë pasi drafti i SHBA-së i një rezolute anti-jemenase u miratua në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të dënuar atë që quhej ‘sulmi i Jemenit ndaj anijeve në Detin e Kuq’, Uashingtoni filloi një aventurë të re në rajon dhe synoi pika në Jemen.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi të enjten rezolutën anti-jemenase 2722, pavarësisht nga rrënja e tensioneve në rajon dhe mbështetja e Shtëpisë së Bardhë për bombardimin e Gazës nga regjimi izraelit, me 11 vota pro, nga totali 15.

Pra, ishte e parashikueshme që SHBA-ja dhe partneri i saj përhershëm, Mbretëria e Bashkuar, të përgatisin bazat për kryerjen e sulmeve në Jemen.

Megjithatë, në përgjigje të agresionit të sotëm të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ndaj Jemenit, Ushtria Kombëtare e Jemenit goditi objektivat e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në Detin e Kuq. Përgjigja erdhi dhe çmimi botëror i naftës dëshmoi një rritje prej 2.5 për qind.

Sulmet e reja të SHBA-së ndaj Jemenit me justifikimin se Ansarullah synonte anijet izraelite në Detin e Kuq, erdhën pasi jemenasit kanë theksuar vazhdimisht se ata synojnë vetëm anijet izraelite ose anijet që lëvizin drejt porteve të pushtuara palestineze për të ndihmuar regjimin izraelit, në shenjë presioni për të ndaluar luftën e regjimit në Gaza.

Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit e quajti sulmin e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ndaj jemenasve një akt arbitrar dhe shkelje të hapur të sovranitetit dhe integritetit territorial të Jemenit.

Nga këndvështrimi i Iranit, sulmi ndaj Jemenit u krye në përputhje me mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe të Perëndimit për krimet e luftës të regjimit izraelit kundër kombit palestinez dhe bllokimin e plotë të Gazës.

Duke pasur parasysh pasojat negative të agresionit të SHBA-së dhe aleatëve të saj në rajon, veçanërisht në Afganistan dhe Irak, Republika Islamike e Iranit beson se sulmet arbitrare ndaj Jemenit do të çojnë vetëm në përshkallëzimin e pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë në rajon.

SHBA-ja dhe Britania e Madhe, në fakt, po përpiqen të largojnë vëmendjen e popujve të botës nga krimet e regjimit izraelit kundër popullit palestinez duke zgjeruar mbështetjen e tyre për regjimin sionist. Prandaj, Republika Islamike ka shprehur shqetësime që nga fillimi i raundit të ri të luftës së regjimit izraelit në Gaza më 7 tetor dhe i ka kërkuar vazhdimisht bashkësisë ndërkombëtare që të parandalojë zgjerimin e luftës dhe të pasigurisë në të gjithë rajonin.

Megjithatë, SHBA-ja dhe shoqja e saj Britania e Madhe duket se nuk kanë nxjerrë mësime nga agresionet e tyre të pakuptimta në vendet e rajonit gjatë viteve të fundit dhe kanë bërë një gabim tjetër trashanik që do të ishte në dëm jo vetëm të tyre, por edhe të rajonit.

Për t’i dhënë fund krizës së vjetër, duket thelbësore që entet ndërkombëtare të ndjekin rivendosjen e shtetit të pavarur të Palestinës me kryeqytet Kudsin, duke përgatitur terrenin që populli palestinez të përcaktojë fatin e tij përmes votës.

Nga Ali Muhammadi

 

Tags