Hezbollah: Karburanti iranian theu projektin SHBA-Izrael kundër Libanit
Një zyrtar i lartë i lëvizjes libaneze të rezistencës Hezbollah theksoi se fakti që anijet iraniane transportojnë karburant për Libanin është një arritje politike, sociale dhe morale përballë shtypjes së SHBA dhe krimeve të saj kundër njerëzimit.
Siç raportoi faqja e lajmeve al-Ahd, Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut Shejh Naim Kasem tha se zhvillimet në Liban janë në kontrast të plotë me projektin SHBA-Izrael. Ai tha se amerikanët ishin të befasuar kur panë që anijet me karburant - që i përkisnin Iranit - kanë thyer rrethimin e Libanit dhe u kanë siguruar libanezëve produktin jetik. Hezbollahu është përballur me pushtuesit izraelitë dhe do të jetë në gjendje t'i kundërvihet rrethimit të Shteteve të Bashkuara në mënyra të përshtatshme, theksoi Shejh Naim Kasem. Anija e parë me karburant iranian hyri në ujërat territoriale të Sirisë më 2 shtator për të shkarkuar ngarkesën e saj, e cila më pas do të transferohet në Liban nëpërmjet cisternave. Burime të informuara thanë se dy anije të tjera iraniane gjithashtu do të dërgojnë ngarkesën e tyre në Liban përmes të njëjtit mekanizëm. Mungesa e karburantit në Liban ka detyruar bizneset dhe zyrat qeveritare të mbyllen, duke kërcënuar të shkaktojnë ndërprerje të energjisë elektrike në spitale dhe të ndalojnë transportin dhe sektorët e tjerë jetikë në Liban./ParsToday