Janar 15, 2024 08:46 Europe/Tirane
  • Brigadat Al-Kassam thonë se kanë shkatërruar rreth 1000 automjete ushtarake izraelite në 100 ditët e fundit

Lëvizja e rezistencës palestineze Hamas thotë se luftëtarët e saj kanë shkatërruar ose paaftësuar qindra automjete ushtarake izraelite gjatë 100 ditëve që kanë kaluar që nga fillimi i agresionit ushtarak të regjimit sionist kundër Rripit të Gazës.

Ebu Ubejde, zëdhënësi i Brigadave al-Kassam, që është krahu ushtarak i Hamasit, e bëri njoftimin të dielën në një deklaratë.

“Gjatë këtyre 100 ditëve, ne kemi shkatërruar ose kemi nxjerrë jashtë funksionit rreth 1000 automjete ushtarake sioniste që kishin depërtuar në Rripin e Gazës në veri, në qendër dhe në jug të tij”, tha ai.

Regjimi filloi agresionin e tij brutal ushtarak pas operacionit “Stuhia al-Aksa” nga lëvizjet e rezistencës me bazë në Rripin e Gazës. Lufta e saj gjenocidale ka vrarë rreth 24,000 palestinezë deri më tani, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, ndërsa ka lënë mbi 60,000 të tjerë të plagosur.

Zëdhënësi konfirmoi se brigadat kanë kryer “qindra operacione të suksesshme ushtarake” gjatë 100 ditëve të fundit, duke shtuar se beteja kundër forcave pushtuese “po zgjerohet ditë pas dite dhe se po e djeg këtë armik dhe të gjithë ata që e mbështetën dhe e ndihmuan atë”.

Ebu Ubejde, gjithashtu, ironizoi me pretendimet e regjimit izraelit për fitimet e supozuara gjatë agresionit të tij ushtarak në Gaza.

“Arritjet e supozuara që armiku shpall për kontrollin apo shkatërrimin e atyre që ai i quan depo armësh, platforma raketore të gatshme për lëshim dhe kilometra tunele janë qesharake...dhe do të vijë dita kur ne të vërtetojmë se këto pretendime janë të rreme”, tha ai.

Ebu Ubejde hodhi poshtë gjithashtu çdo perspektivë të negociatave me regjimin izraelit përpara një armëpushimi të plotë dhe të përhershëm në Gaza, duke thënë: “Çdo bisedë përpara ndalimit të agresionit izraelit është e pavlerë”.

Diku tjetër në fjalët e tij, Ebu Ubejde reflektoi mbi situatën e robërve izraelitë në Rripin e Gazës.

Ai pohoi se “fati i shumë robërve të armikut është bërë i panjohur gjatë javëve të fundit për shkak të agresionit sionist dhe ka shumë të ngjarë, shumë prej tyre të jenë vrarë”.

“Pjesa tjetër [e robërve izraelitë] mbetet në rrezik të afërt dhe domethënës çdo orë e më shumë dhe armiku mban përgjegjësi të plotë për sigurinë e tyre”, tha ai.

 

Tags