Shtator 24, 2021 12:38 Europe/Tirane
  • Teherani kritikon postimet e ashpra të Sekretares së Jashtme britanike

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane ka reaguar ndaj “postimeve të ashpra” të Sekretares së Jashtme të Britanisë së Madhe, Liz Truss, duke thënë se slogane të tilla mund të tërheqin titujt e mediave, por ato kurrë nuk mund të zëvendësojnë vendimet e ligjshme të nxjerra nga gjykatat, duke iu referuar rastit të Nazanin Zaghari, e cila vuan dënimin me burg për një numër shkeljesh të sigurisë.

Truss shkroi në një postim të enjten se Britania e Madhe "po punonte pa u lodhur për të siguruar" lirimin e Zaghari dhe kthimin e saj në familjen e saj. "Unë i bëra presion Iranit dje për këtë dhe do të vazhdoj derisa ajo të kthehet në shtëpi," shtoi ajo. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Said Khatibzadeh u përgjigj, duke thënë: " Postimet e ashpra - në kundërshtim me tonin e bisedimeve - mund të marrin tituj nëpër media". "Por sloganet nuk mund të zëvendësojnë kurrë vendimet e ligjshme të nxjerra nga gjykatat," shtoi ai. Sekretarja e Jashtme Britanike tha se ajo kishte shtruar dy çështje gjatë takimit të saj me Ministrin e Jashtëm të Iranit Hossein Amir-Abdollahian në Nju Jork. "Unë jam absolutisht e vendosur për të siguruar lirimin e shtetasve britanikë të ndaluar," shkroi ajo. "Dhe unë dua ta sjell Iranin përsëri në tryezë për marrëveshjen bërthamore dhe të kthehemi në bisedimet e Vjenës."/ParsToday