Zbulohet një dokument sekret për planin e EBA për bllokimin e Hamas
Një gazetë libaneze ka zbuluar përpjekjet e Emirateve të Bashkuara Arabe për formimin e një koalicioni kundër Lëvizjes së Rezistencës Islamike Palestineze (Hamas).
Gazeta “Al-Akhbar” e Libanit ditën e mërkurë ka publikuar një dokument sekret me anë të të cilit ka zbuluar se pas fitores së rezistencës së Palestinës në luftën e fundit kundër regjimit sionist të quajtur “Shpata e Kodsit”, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bërë përpjekje që së bashku me Arabinë Saudite, Egjiptin dhe Jordaninë të krijojnë një koalicion dhe të ngushtojnë fushëveprimin për Hamas.
Gazeta libaneze “Al-Akhbar” në raportin e saj shton: “Shtetet në fjalë së fundi kanë zhvilluar disa takime me këtë qëllim dhe një prej planeve të këtyre shteteve ishte ushtrimi i presioneve për të penguar rindërtimin e Rripit të Gazës”.
Kjo gazetë libaneze ka bërë të ditur gjithashtu se posedon edhe një dokument tjetër sekret të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite i cili në mënyrë të qartë shpjegon veprimet e këtyre shteteve kundër Hamas, ndërsa ka shtuar: “Regjimi i Emirateve të Bashkuara Arabe insiston që lëvizja Vëllazëria Myslimane të vendoset në listën e organizatave terroriste dhe të bëhen bashkëpunime më të gjera për ta bllokuar Hamasin. Autoriteti Autonom i Palestinës ka qenë humbësi më i madh i kësaj beteje, sidomos pasi që ka shtyrë zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare vetëm nga frika e fitores së Hamas”./ParsToday