Omicron arrin në Iran, autoritetet kërkojnë masa përforcuese
Ministria Iraniane e Shëndetësisë ka zbuluar një rast të parë të infeksionit në vend me variantin e koronavirusit Omicron ndërsa autoritetet këmbëngulin se vaksinat përforcuese duhet të mbulojnë të gjithë të rriturit në vend për të parandaluar një valë të re të sëmundjes.
Zëvendësministri i Shëndetësisë Kamal Heidari tha të dielën se laboratori më i lartë i testimit në Iran kishte konfirmuar një rast të parë me Omicron në kryeqytetin Teheran pas analizimit të mostrave të marra nga një shtetas iranian i cili kishte mbërritur nga Emiratet e Bashkuara Arabe. “Ky rast pozitiv është një person i moshës së mesme që jeton në Teheran, i cili ka mbërritur nga Emiratet dhe është mbyllur menjëherë në karantinë së bashku me personat që ka kontaktuar,” citohet të ketë thënë Heidari në televizionin shtetëror. Kreu i Qendrës së Menaxhimit të Sëmundjeve Transmetuese të Ministrisë së Shëndetësisë tha se testet për disa raste të tjera të dyshimta me Omicron janë duke u analizuar. Irani ka parë shifra të ulëta të vdekjeve dhe infeksioneve nga koronavirusi në javët e fundit falë një fushate masive vaksinimi kundër sëmundjes. Sidoqoftë, një anëtar i Komitetit Mbarëkombëtar të Iranit për luftën kundër COVID-19 tha se qeveria duhet të vendosë menjëherë vaksinat përforcuese për të gjithë të rriturit në mënyrë që të parandalojë një valë të gjashtë të sëmundjes./ParsToday