Irani, Rusia dhe Turqia dënojnë sulmet e Izraelit në Siri
Irani, Rusia dhe Turqia, garantuesit e procesit të paqes në Astana që synon zgjidhjen e konfliktit në Siri, kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj sulmeve të Izraelit kundër Sirisë.
Në një deklaratë të përbashkët në takimin e 17-të të procesit të Astanasë, shtetet garantuese dënuan sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Siri, duke vënë në dukje se sulmet përbëjnë një kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Ata bënë thirrje që Tel Avivi t'u japë fund agresioneve në Siri. Irani, Rusia dhe Turqia gjithashtu theksuan se "përdorimi i avionëve civilë nga Izraeli për të mbuluar agresionin e tij në territoret siriane është një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar dhe rrezikon jetën e popullatës civile", njoftoi rrjeti televiziv al-Mayadeen i Libanit. Siria dhe regjimi izraelit janë teknikisht në luftë për shkak të okupimit nga ky i fundit në 1967-ën të Lartësive Golan të Sirisë. Regjimi izraelit mban një prani të konsiderueshme ushtarake në këtë territor, të cilin e përdor si pikënisje për sulmet e tij në tokën siriane. Sulmet filluan të rriten ndjeshëm në shkallë dhe frekuencë pas vitit 2011, kur Siria u gjend nën agresionin e militantizmit dhe terrorizmit ekstrem të mbështetur nga jashtë./ParsToday