Janar 02, 2022 06:57 Europe/Tirane
  • Populli irakian përkujton martir Soleimanin dhe kërkon largimin e amerikanëve

Ndërsa mijëra njerëz u mblodhën të shtunën në Bagdad përpara përvjetorit të vrasjes së luftëtarëve iranianë dhe irakianë nga SHBA, populli irakian dhe grupet e rezistencës thanë se qëndrojnë të vendosur në kërkesën për tërheqjen e plotë të të gjitha forcave të udhëhequra nga Amerika.

Manifestimi erdhi dy ditë para përvjetorit të dytë të vrasjes së gjeneralit të lartë të Iranit Kasem Soleimani në një sulm me dron të urdhëruar drejtpërdrejt nga ish-presidenti amerikan Donald Trump. Kais Khazali, sekretari i përgjithshëm i lëvizjes irakiane të rezistencës Asa'ib Ahl al-Hak, tha se amerikanët po përpiqen të justifikojnë praninë e tyre ushtarake në tokën irakiane, por rezistenca do t'i detyrojë ata të largohen "duart bosh dhe me turp.” Khazali nënvizoi se amerikanët duhet ta kishin kuptuar se populli irakian nuk e pranon pushtimin e vendit të tij. Ai tha se martirët Soleimani dhe al-Muhandis ishin themeluesit e rezistencës irakiane dhe Iraku arriti të mposhtte grupin terrorist ISIS falë përpjekjeve të tyre. “Ashtu siç i keni dashur irakianët, edhe irakianët e ndershëm ju duan ju”, tha Khazali, duke iu drejtuar gjeneralit Soleimani dhe shtoi: “Ne i jemi mirënjohës Iranit Islamik dhe qytetit të Kermanit dhe Haxh Kasemit.” Gjatë tubimit në Bagdad, mijëra njerëz brohoritën slogane anti-amerikane, duke bërë thirrje për dëbimin e forcave amerikane të mbetura në Irak, pasi misioni luftarak i SHBA-së në Irak përfundoi. Sipas mediave irakiane, shumë njerëz erdhën në Bagdad nga zona të ndryshme anembanë vendit për të marrë pjesë në manifestim. Në disa nga pankartat shkruhej “Ne nuk do t'ju lëmë të qëndroni në tokën e dëshmorëve pas ditës së sotme” dhe  “Terrorizmi amerikan duhet të marrë fund”./ParsToday