Janar 22, 2022 20:27 Europe/Tirane
  • Irani dënon sulmet ajrore të Arabisë Saudite kundër Jemenit

Irani ka dënuar sulmet ajrore vdekjeprurëse të kryera nga Arabia Saudite në Jemen, duke paralajmëruar se sulmet që vranë të paktën 90 njerëz e kanë bërë më të vështirë arritjen e paqes në vendin e shkatërruar nga lufta.

"Vazhdimi i sulmeve ushtarake të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen të cilat kryhen në mes të heshtjes dhe indiferencës së komunitetit ndërkombëtar, shitjes së pakontrolluar të armëve agresorëve dhe adoptimit të qasjeve të njëanshme dhe të dyfishta ndërkombëtare e kanë bërë edhe më të vështirë rrugën për të arritur një paqe të drejtë në Jemen”, tha në një deklaratë të shtunën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Said Khatibzadeh. Ai shtoi se vendet që u shesin armë agresorëve në Jemen dhe u ofrojnë atyre bomba dhe armë shkatërruese, të cilat kanë çuar në vrasjen e grave dhe fëmijëve jemenas, janë bashkëpunëtorë në krime të tilla dhe duhet të mbajnë përgjegjësi në këtë drejtim. Zëdhënësi Ministrisë së Jashtme iraniane theksoi se këmbëngulja në rrethimin dhe bombardimet ndaj popullit të Jemenit tregon mungesën e "vendosmërisë serioze për të çuar përpara një zgjidhje politike të krizës jemenase dhe gjithashtu dëshmon këmbënguljen në një qasje shkatërruese ushtarake". "Një qasje e tillë nuk do të ketë asnjë rezultat veç shkatërrimit të Jemenit dhe përhapjes së destabilitetit në rajon", paralajmëroi Khatibzadeh. Dhjetëra njerëz u vranë të premten herët dhe më shumë se 260 të tjerë u plagosën, shumica e tyre në gjendje kritike, në Jemen pas një serie sulmesh ajrore të koalicionit agresor saudit./ParsToday