Irani nuk do të mashtrohet nga Perëndimi
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian tha se nxitimi i palës perëndimore për të arritur një marrëveshje nëpërmjet negociatave të Vjenës nuk do ta bëjë Teheranin të mbyllë sytë ndaj vijave të tij të kuqe.
Amir-Abdollahian i bëri këto komente të premten në një telefonatë me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, duke iu referuar përpjekjeve diplomatike për të ringjallur marrëveshjen e vitit 2015 me Iranin. "Ne jemi të gatshëm të finalizojmë menjëherë një marrëveshje të mirë," tha ai. “Por nxitimi i palës perëndimore nuk mund të pengojë respektimin e vijave të kuqe të Iranit”. Ministri i Jashtëm iranian tha gjithashtu se prania e ministrave të jashtëm në Vjenë dhe shpallja e një marrëveshjeje përfundimtare do të varet nga respektimi i plotë i vijave të kuqe të deklaruara të Republikës Islamike, duke përfshirë një garanci efektive që do të siguronte përfitimet ekonomike të Iranit nga marrëveshja bërthamore. “Dr. Bagheri dhe ekspertët e lartë të vendit tonë po qëndrojnë në Vjenë në konsultime të vazhdueshme dhe aktive me të gjitha delegacionet. Delegacioni ynë do të vazhdojë të punojë shumë për të arritur një marrëveshje të mirë”, shtoi kryediplomati iranian. Nga ana e tij, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se kërkesat kryesore të Iranit janë pranuar në marrëveshjen përfundimtare të mundshme. Ai tha se ka pasur progres gjatë bisedimeve, duke shtuar se negociatat janë në rrugën e duhur drejt arritjes së një rezultati përfundimtar. Bisedimet e Vjenës filluan prillin e kaluar midis Iranit dhe palëve të tjera në marrëveshjen bërthamore me supozimin se SHBA, nën administratën Joe Biden, është e gatshme të ribashkohet me marrëveshjen bërthamore. Kjo marrëveshje u shkel nga ish-presidenti amerikan Donald Trump në maj 2018 çka pasoi me vendosje të sanksioneve të paligjshme dhe të "presionit maksimal" kundër Republikës Islamike./ParsToday