Lideri Suprem i Iranit në takim me Asad
Lideri Suprem i Revolucionit Islamik Ajetollah Khamenei deklaroi se pavarësisht shkatërrimit që i është bërë Sirisë nga lufta shumëvjeçare, ky vend tani shihet si një fuqi e madhe.
Ajetollah Khamenei i bëri këto komente në një takim të dielën me presidentin e Sirisë Bashar al-Asad gjatë vizitës së dytë të këtij të fundit në Teheran. “Sot, Siria nuk është e njëjta Siri që ishte para luftës, megjithëse në atë kohë nuk ishte shkatërruar nga lufta, por tani Siria gëzon një shkallë më të lartë respekti dhe kredibiliteti dhe të gjitha vendet e shohin atë si një fuqi”, tha Lideri Suprem, duke iu referuar arritjeve të mëdha të Sirisë si në arenën politike, ashtu edhe në atë ushtarake. Ajetollah Khamenei vuri në dukje se presidenti sirian dhe kombi i tij tani janë të nderuar nga të gjitha kombet e rajonit, dhe shtoi: “Disa liderë të vendeve që janë fqinjë me ne dhe me ju, kanë marrëdhënie me liderët e regjimit sionist dhe pinë kafe së bashku. Megjithatë, popujt e këtyre vendeve dalin në rrugë në Ditën Ndërkombëtare të Kudsit dhe brohorasin slogane anti-sioniste dhe ky është realiteti aktual i rajonit.” Ai theksoi se faktorë të ndryshëm ishin ndikues në rezistencën e Sirisë dhe në fitoren e saj në një luftë ndërkombëtare, duke shtuar: “Një nga ata faktorë më të rëndësishëm ishte morali juaj i lartë dhe dashtë Zoti, me të njëjtin moral do të jeni në gjendje të rindërtoni shkatërrimet e luftës, sepse keni një punë të madhe për të bërë.” Lideri Suprem i Revolucionit Islamik përkujtoi gjithashtu komandantin martir të Forcës Kuds të Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC), gjeneral-lejtnant, Kasem Soleimani, duke thënë: “Ai martir i nderuar ushqeu një zell të veçantë për Sirinë dhe bëri sakrifica në kuptimin e vërtetë të fjalës. Sjellja e tij në Siri nuk ishte e ndryshme nga sjellja e tij gjatë periudhës tetëvjeçare të Mbrojtjes së Shenjtë në Iran.” Ajetollah Khamenei tha se morali i lartë dhe dinamizmi i presidentit sirian mund të lehtësojë vepra të mëdha dhe shtoi: “Presidenti dhe administrata e Republikës Islamike të Iranit janë gjithashtu vërtet dinamikë dhe kanë një moral të lartë dhe vendosmëri të fortë dhe ata janë shumë seriozë për çështjen e Sirisë. Kjo mundësi duhet të përdoret për të promovuar marrëdhëniet dypalëshe më shumë se çdo herë më parë". Presidenti sirian, nga ana e tij, falënderoi kombin dhe qeverinë iraniane për mbështetjen e tyre, duke thënë: “Rezistenca e Iranit dhe qëndrimet e palëkundura të tij në katër dekadat e fundit për çështjet rajonale, veçanërisht për çështjen e Palestinës, i kanë treguar të gjithë botës se rruga e Iranit është një rrugë korrekte dhe parimore”. Bashar al-Asad shtoi se rrënojat e luftës mund të rindërtohen, por nëse parimet humbasin, ato nuk mund të rindërtohen. “Qëndresa e kombit iranian mbi parimet dhe bazat e vendosura nga themeluesi i Republikës Islamike, Imam Khomeini, e cila ka vazhduar me vendosmërinë tuaj, ka hapur rrugën për triumfet e mëdha të kombit të madh të Iranit dhe popujve të rajonit, veçanërisht të popullit të Palestinës”, tha Asad. Presidenti sirian tha se marrëdhëniet strategjike midis Iranit dhe Sirisë ishin një faktor kryesor që pengon regjimin sionist të dominojë të gjithë rajonin./ParsToday