May 20, 2022 20:57 Europe/Tirane
  • Shefi i Hezbollahut: Palestinezët nuk presin më ndihmën e regjimeve arabe

Sekretari i përgjithshëm i lëvizjes së rezistencës libaneze Hezbollah deklaroi se populli palestinez nuk do të presë më që regjimet arabe t'i vijnë në ndihmë pasi palestinezët kanë zgjedhur rrugën e rezistencës kundër regjimit pushtues izraelit.

Regjimet arabe nuk janë në gjendje të mbrojnë kombet e tyre, e lëre më të mbrojnë kauzën palestineze, tha Sejed Hasan Nasrallah në një fjalim të mbajtur të premten. Ai tha se Dita e Katastrofës, kur u krijua regjimi izraelit, nuk ishte vetëm një katastrofë për Palestinën, por për të gjitha kombet arabe në rajon, duke shtuar se bota arabe nuk arriti ta mbronte Palestinën edhe kur ishte e fortë dhe e bashkuar. Më tej në fjalë e tij, Nasrallah tha se ajo që mbron Libanin është populli dhe rezistenca e tij. “Askush të mos ketë iluzionin se bota arabe mund ta mbrojë Libanin”. Ai tha se lëvizja e rezistencës libaneze do të vazhdojë luftën pa pushim dhe nuk do të heqë kurrë armët. "Rezistenca ka kontribuar në mbrojtjen e sigurisë së brendshme të Libanit, veçanërisht në çmontimin e rrjeteve të spiunazhit izraelit," tha ai. Shefi i Hezbollahut deklaroi se sfida aktuale në Liban është kriza ekonomike dhe sociale, si dhe kriza e bukës, ilaçeve dhe energjisë elektrike, "jo armët e rezistencës"./ParsToday