Qershor 23, 2022 09:59 Europe/Tirane
  • Lindja e dështuar e NATO-s arabo-izraelite

Ndërsa Izraeli po përpiqet të përfitojë nga normalizimet me një numër shtetesh arabe, veçanërisht ato në Gjirin Persik, për të përshpejtuar të ashtuquajturin plan për një NATO arabo-izraelite, disa nga këto vende arabe, duke përfshirë Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite kanë frikë nga reagimet e mundshme të Iranit ndaj shfaqjes së një koalicioni të tillë të udhëhequr nga regjimi i Izraelit në rajon.

Presidenti amerikan Joe Biden pritet të udhëtojë në territoret e pushtuara në ditët në vijim dhe më pas të vizitojë disa vende arabe të Lindjes së Mesme. Gjatë turneut të Presidentit demokrat në Palestinën e pushtuar dhe Arabinë Saudite, do të diskutohen çështje të ndryshme, duke përfshirë planin për krijimin e një NATO-je arabo-izraelite. Nismëtarët amerikano-izraelitë të planit pretendojnë se krijimi i këtij organi gjoja po ndiqet për të “garantuar sigurinë e rajonit të Gjirit Persik”, por e vërteta është se ai synon vetëm përballjen me boshtin e Rezistencës të kryesuar nga Irani. Ky është plani, themelet fillestare të të cilit u hodhën nga kryeministri i atëhershëm izraelit Benjamin Netanjahu vetëm për t'u përballur me RII-në. Nga një sërë studimesh të thelluara mbi mënyrat se si Izraeli mund të mbronte ekzistencën e tij të paligjshme, ai doli në përfundimin se siguria e regjimit fals ishte e lidhur ngushtë me formimin e NATO-s arabo-izraelite dhe rritjen e aftësisë së saj për tu përballur me Iranin, si një mbështetës i boshtit të Rezistencës në rajon. Kjo është arsyeja pse gjatë dy-tre viteve të fundit, kemi parë se zyrtarët izraelitë kanë organizuar udhëtime të shumta në vendet e rajonit dhe në Shtetet e Bashkuara dhe kanë mobilizuar të gjitha mjetet e tyre për të lindur NATO-n arabo-izraelite. Nëse duam të zbulojmë motivet që i shtynë izraelitët dhe mbështetësit e tyre amerikanë për të konceptuar projektin e një NATO-je arabo-izraelite, mund të kujtojmë dështimin e rëndë të Izraelit kundër Rezistencës Libaneze gjatë luftës 33-ditore si faktorin kryesor në propozimin e një projekti të tillë. Në të vërtetë, zyrtarët izraelitë synojnë të përdorin një plan të tillë si një mundësi për të parandaluar Iranin të zgjerojë sferën e tij të ndikimit në Lindjen e Mesme. Një arsye e dytë pse regjimet arabe, veçanërisht Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite, nuk e kanë mirëpritur planin e Izraelit për të formuar një NATO arabo-izraelite është frika e tyre nga një reagim i mundshëm i Iranit ndaj të ashtuquajturës NATO arabo-izraelite. Në fakt, ata kanë frikë se Teherani do marrë një qëndrim agresiv ndaj këtij projekti SHBA-Izrael dhe do të kërcënojë më shumë se kurrë sigurinë e tyre. Për më tepër, nëse shohim Izraelin që kërkon me këmbëngulje krijimin e NATO-s arabo-izraelite, kjo ndodh sepse pas Izraelit janë Shtetet e Bashkuara. Dhe është mbështetja e Uashingtonit si pasojë e së cilës zyrtarët izraelitë kanë guxuar të flasin për këtë plan. Pasi kanë pasur shumë përvoja të hidhura të besimit ndaj Shteteve të Bashkuara, vendet arabe e dinë mirë që amerikanët nuk janë të besueshëm dhe për këtë arsye janë shumë të kujdesshëm në këtë kontekst. Megjithatë, një çështje shumë e rëndësishme është se lidershipi amerikan është pothuajse i vetëdijshëm për paarritshmërinë e ëndrrës së formimit të NATO-s arabo-izraelite, dhe edhe nëse një projekt i tillë realizohet në të ardhmen e largët, një formacion i tillë nuk do të ketë absolutisht asgjë për të thënë kundër Boshtit të Rezistencës./ParsToday