Korrik 04, 2022 17:40 Europe/Tirane
  • Irani mbështet zgjidhjen paqësore të konfliktit të Karabakut

Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, ka përsëritur mbështetjen e Teheranit për zgjidhjen paqësore të konfliktit të Nagorno-Karabakut bazuar në parimet e së drejtës ndërkombëtare.

"Në bisedimet e sotme u theksua edhe një herë nga ne çështja e integritetit territorial të vendeve, përfshirë Republikën e Azerbajxhanit. Gjithashtu rikonfirmuam mbështetjen tonë për zgjidhjen paqësore të konfliktit të Karabakut, bazuar në parimet e njohura të ligjin ndërkombëtar”, tha Amir-Abdollahian në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit Jeyhun Bayramov të hënën në Teheran. “Që nga fillimi i mosmarrëveshjes së Karabakut, Republika Islamike gjithmonë ka deklaruar gatishmërinë e saj për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit përmes dialogut. Ne jemi ende të gatshëm të vazhdojmë mbështetjen dhe ndihmën tonë në këtë drejtim, në mënyrë që çështjet e mbetura të zgjidhen në bazë të respektimit të integritetit territorial dhe sovranitetit të palëve të përfshira dhe përmes dialogut politik”, shtoi ai. Amir-Abdollahian tha se Republika Islamike e Iranit dhe Azerbajxhani kanë sqaruar të gjitha keqkuptimet e mëparshme midis dy vendeve fqinje muslimane. Tensioni shpërtheu midis Teheranit dhe Bakut në tetor 2021 pasi ministri i jashtëm iranian lëshoi një paralajmërim në lidhje me provokime të caktuara nga regjimi izraelit pranë kufijve të Iranit me Azerbajxhanin. Regjimi sionist, tha ai, kishte përdorur ndezjen e tensioneve midis Azerbajxhanit dhe Armenisë mbi rajonin e Nagorno-Karabakut në vitin 2020 për të vendosur një prani ushtarake në disa pjesë të Azerbajxhanit. “Gjatë negociatave të sotme u diskutua në detaje një gamë e gjerë çështjesh dypalëshe dhe u shkëmbyen pikëpamjet përkatëse. Siç e dini, presidentët e dy vendeve kanë pasur dy takime kokë më kokë në 10 muajt e fundit. Gjatë takimeve, u zhvilluan bisedime konstruktive dhe largpamëse për një fazë të re të lidhjeve të ndërsjella midis dy vendeve”, tha Amir-Abdollahian. Bayramov, nga ana e tij, tha se ai pati bisedime të frytshme me zyrtarët iranianë gjatë bisedimeve të së hënës për çështje me interes të përbashkët, si dhe çështje rajonale. “Vëllimi ynë i tregtisë dypalëshe u rrit me 30% vitin e kaluar”, theksoi ministri i jashtëm i Azerbajxhanit. Ai, megjithatë, vuri në dukje se Teherani dhe Baku duhej të forconin më tej lidhjet pasi gëzojnë potencial të madh ekonomik dhe tregtar. Ai tha gjithashtu se vendi i tij ka arritur një marrëveshje me Iranin për të prodhuar bashkarisht makina dhe traktorë, duke shtuar se bashkëpunimi për ndërtimin e digave dhe termocentraleve është gjithashtu ndër prioritetet kryesore për dy fqinjët./ParsToday