Shtator 21, 2022 10:44 Europe/Tirane
  • Nuk kemi parë asnjë ndryshim praktik në sjelljen e SHBA-së ndaj Iranit

Presidenti iranian Ebrahim Raisi theksoi se administrata e presidentit Biden nuk ka ndërmarrë asnjë hap praktik që do të tregonte një ndryshim të politikës së SHBA ndaj Iranit, pavarësisht se pretendon se dëshiron të ndryshojë fushatën e presionit të paraardhësit të tij dhe t'i bashkohet marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Raisi i bëri komentet të martën në një takim me homologun e tij zviceran, Ignazio Cassis, në Nju Jork në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. “Deri më tani nuk kemi vërejtur ndonjë hap praktik dhe serioz që do të ilustronte një ndryshim në sjelljen e SHBA-së dhe heqjen e sanksioneve mizore kundër Iranit”, pavarësisht faktit se administrata aktuale amerikane pretendon se është kundër politikave të ish-presidentit Donald Trump. Raisi fajësoi pavendosmërinë e Uashingtonit për bllokimin e bisedimeve për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore. “Ishte Amerika ajo që u tërhoq nga marrëveshja, jo Irani. Edhe pse Irani ka qëndruar i përkushtuar ndaj detyrimeve të tij, palët perëndimore të marrëveshjes bërthmore kanë dështuar të respektojnë detyrimet e tyre”, theksoi Presidenti iranian. Raisi nënvizoi se kërkesat e Teheranit për garanci nga SHBA përpara se të rivendoset marrëveshja e vitit 2015 janë absolutisht logjike duke pasur parasysh veprimet e Uashingtonit në të kaluarën. Ai tha se Republika Islamike ka vazhduar të përparojë pavarësisht presioneve dhe sanksioneve 40-vjeçare, duke dëshmuar se masat shtrënguese janë krejtësisht të paefektshme. Raisi gjithashtu përshëndeti marrëdhëniet miqësore midis Iranit dhe Zvicrës, duke kërkuar zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh tregtar dhe ekonomik, veçanërisht në sektorin bankar dhe financiar. Nga ana e tij, Presidenti zviceran, Ignazio Cassis theksoi se siguria e Iranit dhe e rajonit të Lindjes së Mesme garanton atë të Evropës. Ai gjithashtu përshëndeti zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit monetar dhe bankar midis Bernës dhe Teheranit. “Në vitin 2016 u hartua një udhërrëfyes për përmirësimin e marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve, të cilit ne ende i përmbahemi. Ne besojmë se duhet të kapërcehen pengesat politike dhe gjeopolitike në mënyrë që bashkëpunimi mes dy vendeve të avancojë”, tha Presidenti zviceran./ParsToday