IRGC vazhdon sulmet në Kurdistanin irakian
Korpusi i Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC) ka vënë në shënjestër edhe një herë bazat e terroristëve anti-iranianë në rajonin gjysmë autonom të Kurdistanit të Irakut duke përdorur raketa precize dhe dronë luftarakë.
Sipas një raporti të agjencisë Tasnim, të mërkurën në mëngjes Forca Tokësore e IRGC-së goditi pozicionet e grupeve terroriste separatiste, duke përfshirë të ashtuquajturën Partia Komala, në rajonin verior të Irakut, duke u shkaktuar atyre humbje të mëdha. Gjeneral brigade Mohammad Pakpur, komandanti i forcave tokësore të Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC), duke komentuar operacionin ushtarak në vazhdim në Irakun verior tha se deri më tani 73 raketa balistike tokë-tokë dhe dhjetëra dronë kamikazë kanë goditur bazat terroriste, duke çuar në shkatërrimin e plotë të objektivave të përcaktuara. Këta objektiva ishin të shpërndara në 42 pika, shpjegoi ai, duke shtuar se në disa raste ato ishin 400 km larg njëri-tjetrit. Që nga 24 shtatori, IRGC ka nisur sulmet e përditshme ndaj pozicioneve të terroristëve të strehuar në Kurdistanin irakian. Pas sulmit të parë ushtarak, Korpusi i Gardës së Revolucionit Islamik tha në një deklaratë se i dha një përgjigje vendimtare infiltrimit të terroristëve në kufirin iranian dhe se ka sulmuar një numër bazash të terroristëve të strehuar në Kurdistanin irakian. IRGC ndërmori veprime pasi zyrtarët e Qeverisë Rajonale të Kurdistanit (KRG) nuk i kushtuan vëmendjen e duhur paralajmërimeve të shumta kundër vendosjes dhe veprimtarisë së mercenarëve dhe terroristëve armiqësorë ndaj Republikës Islamike. Terroristët në Irakun verior raportohet se kanë qenë të përfshirë në një seri trazirash vdekjeprurëse në Iran duke infiltruar elementë të armatosur dhe sasi armësh për të mbështetur grupet vandale që qëndrojnë pas dhunës në qytetet iraniane.