Tetor 25, 2022 08:42 Europe/Tirane
  •  Kreu i Xhihadit Islamik: Irani përkrahës i palëkundur i popullit palestinez

Sekretari i përgjithshëm i lëvizjes së rezistencës së Xhihadit Islamik ka përshëndetur mbështetjen e palëkundur të Iranit për grupet dhe fraksionet e rezistencës në të gjithë territoret e pushtuara palestineze, duke thënë se Republika Islamike është një aleate e lëvizjes me bazë në Gaza dhe një mbështetëse e rezistencës dhe e popullit palestinez.

“Irani është një aleat i lëvizjes Xhihadi Islamik dhe i popullit palestinez, dhe qëndrimet e tij politike janë armiqësore ndaj Izraelit dhe mbështesin rezistencën,” tha Ziad al-Nakhala të dielën në një intervistë ekskluzive me rrjetin e lajmeve Al Jazeera. “Irani qëndron kundër politikës amerikane dhe Izraelit dhe mbështet rezistencën”, tha al-Nakhala dhe shtoi: “Ndërsa regjimet arabe janë në aleancë me regjimin izraelit dhe Perëndimin dhe nuk e mbështesin rezistencën, Irani mbështet lëvizjen e Xhihadit Islamik dhe të gjitha grupet e rezistencës palestineze.” Sekretari i përgjithshëm i lëvizjes së rezistencës së Xhihadit Islamik theksoi se regjimet arabe po lëvizin drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre me Izraelin dhe qëndrojnë "besnikë ndaj Shteteve të Bashkuara, armët e të cilave vrasin popullin palestinez". Duke folur për politikat e paligjshme ekspansioniste të regjimit izraelit, al-Nakhala tha se Tel Avivi në vitet e fundit ka pushtuar një pjesë të madhe të Bregut Perëndimor dhe se numri i kolonëve ka dëshmuar një rritje eksponenciale.