Kritika e Iranit për heshtjen e Këshillit të Sigurimit
Ambasadori dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir Said Irvani, kritikoi heshtjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në lidhje me agresionet e përsëritura të regjimit sionist në Siri.
Sipas IRNA, Amir Said Irvani, ambasador dhe përfaqësues i përhershëm i Republikës Islamike të Iranit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, të martën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në lidhje me zhvillimet në Siri, tha se pavarësisht kërkesave të përsëritura nga Republika Arabe Siriane për të dënuar regjimin sionist në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, agresionet e vazhdueshme të regjimit sionist kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë vazhdojnë nën heshtjen e këtij organizmi ndërkombëtar. Ai theksoi se heshtja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e ka inkurajuar regjimin sionist që të kryejë agresione dhe krime në një mënyrë më të hapur dhe më të gjerë, që përfshijnë shënjestrimin e civilëve dhe infrastrukturës bazë në Siri, që është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar dhe humanitar. Diplomati i lartë i Republikës Islamike të Iranit në Kombet e Bashkuara kërkoi nga Këshilli i Sigurimit që të dënojë agresionin e regjimit sionist dhe të padisë këtë regjim për krime dhe rrezikim të paqes dhe sigurisë në rajon. Më tej Irvani tërhoqi vëmendjen për situatën e vështirë të popullit sirian dhe e konsideroi të nevojshme dhënien e ndihmave humanitare dhe shtoi: Sigurimi i aksesit të lirë, të shpejtë dhe të sigurt për të ndihmuar nevojtarët në të gjithë Sirinë duhet të jetë prioritet. Përfaqësuesi i Përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara theksoi nevojën për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë dhe shtoi: Kjo mund të arrihet me përfundimin e agresionit të huaj kundër Sirisë dhe të pushtimit të disa rajoneve të këtij vendi.