Nëntor 28, 2022 07:04 Europe/Tirane
  •  Kryeministri i Irakut do të kryejë vizitë në Iran

Kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani do të vizitojë Teheranin, duke kryesuar një delegacion të lartë ekonomik dhe politik, për të zhvilluar bisedime me zyrtarë të lartë iranianë mbi mënyrat e forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal.

Mohammad Xhamshidi, zëvendësshefi i kabinetit të presidentit iranian për çështjet politike, u citua nga agjencia zyrtare e lajmeve IRNA të ketë thënë të dielën se kryeministri irakian do të mbërrijë në Teheran me ftesë zyrtare të Presidentit të Iranit Ebrahim Raisi. Gjatë qëndrimit njëditor të Mohammed Shia al-Sudanit në Teheran, të dyja palët do të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, shtoi Xhamshidi. Ai theksoi se të dy vendet ruajnë një nivel të përshtatshëm bashkëpunimi falë bisedimeve dhe shkëmbimeve të vizitave ndërmjet zyrtarëve të tyre. Zyrtari iranian shtoi se vizita e kryeministrit irakian do të fokusohet më së shumti në çështjet ekonomike dhe politike, duke përsëritur se zgjerimi i lidhjeve me shtetet fqinje dhe rajonale është një prioritet kryesor për administratën e presidentit Raisi. Xhamshidi tha se Irani ka pasur marrëdhënie shumë të mira dhe të nivelit të lartë me vendet fqinje gjatë vitit të kaluar, duke shtuar se lidhjet ndërkombëtare, politika e jashtme rajonale dhe përmirësimi i lidhjeve me fqinjët janë ndër fushat më të rëndësishme të politikës së jashtme të Iranit. Irani mirëpret zgjerimin e lidhjeve me çdo vend që është i interesuar për bashkëpunim me Teheranin, tha ai. Presidenti iranian Raisi i dërgoi një mesazh urimi al-Sudanit në fund të muajit të kaluar për zgjedhjen e tij nga ligjvënësit irakianë si kryeministër i ri i vendit dhe krijimin e një qeverie të re të kryesuar prej tij.