Dhjetor 01, 2022 06:50 Europe/Tirane
  •  Irani i gatshëm të ndihmojë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Turqisë dhe Sirisë

Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian tha se Republika Islamike i kupton shqetësimet e sigurisë së Turqisë përgjatë kufirit sirian, duke vënë në dukje se Teherani është gati të përdorë kapacitetet e tij për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve fqinje.

“Ne i kuptojmë shqetësimet e sigurisë së Turqisë dhe theksojmë nevojën për t'i trajtuar ato. Zgjidhja e problemit, megjithatë, kërkon vazhdimin e bisedimeve për sigurinë midis dy vendeve dhe jo operacionet ushtarake tokësore. Ky hap nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve ekzistuese, por do të shkaktonte humbje dhe do të komplikonte situatën”, tha Amir-Abdollahian në një bisedë telefonike me homologun e tij turk, Mevlut Cavusoglu, të martën në mbrëmje. Ministri i Jashtëm iranian vuri në dukje se Irani është i përgatitur të ndihmojë në lehtësimin e zgjidhjes politike të çështjeve të vazhdueshme midis Ankarasë dhe Damaskut. Nga ana e tij, Çavusoglu e informoi kryediplomatin iranian për qëndrimet e vendit të tij për situatën në Siri dhe vlerësoi rolin konstruktiv të Iranit dhe tha se konsultime të tilla duhet të vazhdojnë. Ndërkohë, Turqia ka lënë të kuptohet për mundësinë e operacioneve tokësore në veri të Sirisë dhe Irakut. “Koha, shkalla dhe kufijtë e operacioneve të Forcave të Armatosura Turke përcaktohen nga Ankaraja... Operacioni mund të fillojë nesër, javën e ardhshme, apo edhe më vonë, në çdo kohë. Situata po vlerësohet nga ushtria dhe inteligjenca turke", tha të martën zëdhënësi i presidentit turk, Ibrahim Kalin. Ai shtoi se Ankaraja i koordinon veprimet e saj me Moskën gjatë operacionit ajror në rajon.