Irani posedon lloje të raketave të pakonceptueshme për amerikanët
Komandanti i Marinës së Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC) tha se Irani ka në posedim raketa që Shtetet e Bashkuara as nuk mund t'i imagjinojnë.
Duke iu drejtuar një ceremonie në Universitetin Imam Husein në Teheran të martën, admirali Alireza Tangsiri tha se ato që Irani ka treguar në manovra të ndryshme nuk janë ato që do të përdorte vendi në rast të ndonjë lufte kundër tij. “Sot, ne kemi raketa të cilat amerikanët as nuk mund t'i imagjinojnë,” shtoi ai. Ai vuri në dukje se Irani është i vetmi vend që ia doli të instalonte raketa në anije 6-8 metra të gjata, duke theksuar se armiqtë ekstra-rajonalë nuk kanë aftësi të arrijnë Iranin përmes Gjirit Persik, Detit të Omanit dhe Oqeanit Indian për ta mposhtur atë. Komandanti i lartë iranian tha se forcat amerikane kanë qenë të pranishme në rajonin e Gjirit Persik që nga fillimi i shekullit të 20-të. “Një destrojer amerikan kushton 2 milionë dollarë në javë dhe një aeroplanmbajtëse kushton 5 milionë dollarë në javë dhe ata i paguajnë këto shuma për të qëndruar në rajon”, shtoi komandanti i Marinës së Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik. Ndër të tjera, ai hodhi poshtë planin e armikut për të marrë kontrollin e tre ishujve iranianë në Gjirin Persik, duke thënë: "Ne nuk do të lejojmë që armiku të na marrë tokën që paraardhësit tanë e kishin mbrojtur". Në reagim ndaj një deklarate të përbashkët të lëshuar nga Kina dhe shtetet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik (GCC) në fund të samitit të tyre të së premtes në Riad, admiral Tangsiri tha se tre ishujt i përkasin Iranit dhe padyshim do të mbeten pjesë e integritetit të tij. Ai shtoi se Irani nuk do të kryejë një akt agresioni kundër asnjë vendi, por gjithashtu nuk do të lejojë askënd të flasë për integritetin e tij kombëtar. “Këta ishuj i përkasin Iranit dhe ata që pretendojnë të kundërtën, duhet të rishikojnë historinë. Nëse i kthehemi historisë… Bahrejni duhet të kthehet gjithashtu në Iran”, tha Tangsiri.