Dhjetor 22, 2022 08:20 Europe/Tirane
  •  Amir-Abdollahian: Riadi i gatshëm të vazhdojë dialogun me Iranin

Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian ka zhvilluar një takim me homologun e tij saudit, Princin Faisal bin Farhan Al Saud, ku ky i fundit shprehu gatishmërinë e Riadit për të vazhduar dialogun me Teheranin, mes përpjekjeve të të dy fqinjëve për të rregulluar marrëdhëniet e tyre të trazuara.

Hossein Amir-Abdollahian në një postim në Twitter, të postuar në gjuhën arabe, njoftoi se takimi u zhvillua në margjinat e Konferencës së Bagdadit-2, në Jordani. "Unë mora pjesë në konferencën Bagdad-2 në Jordani për të riafirmuar mbështetjen tonë për Irakun, dhe në margjinat e takimit pata gjithashtu mundësinë të takohem me disa nga homologët e mi, duke përfshirë ministrat e jashtëm të Omanit, Katarit, Irakut, Kuvajtit dhe Arabisë Saudite. Ministri saudit më siguroi për gatishmërinë e vendit të tij për të vazhduar dialogun me Iranin”, shkroi kryediplomati iranian në Twitter. Irani dhe Arabia Saudite janë ndër vendet që marrin pjesë në konferencën në Jordani, e cila u organizua nga Franca dhe Iraku me qëllim të krijimit të një forumi për diskutimin e problemeve të rajonit. Duke iu referuar takimit me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, për kohën e rifillimit të marrëdhënieve diplomatike mes Teheranit dhe Riadit, ai tha: "Republika Islamike e Iranit nuk ishte pala që i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike dhe ishte Arabia Saudite ajo që mori një vendim të tillë dhe sa herë që sauditët duan t'i kthejnë marrëdhëniet në normalitet nëse natyrisht janë gati, Irani do ta mirëpresë këtë iniciativë". Princi Faisal ka thënë se vendi i tij do të vazhdojë t'i shtrijë dorën Iranit për një "marrëdhënie pozitive" që i shërben stabilitetit të rajonit. Ministri i Jashtëm iranian informoi edhe për konsultimet në lidhje me negociatat për anulimin e sanksioneve dhe sqaroi: "Në 2-3 muajt e fundit, pala amerikane ndërmori deklarata hipokrite dhe veprime që nuk ishin në përputhje me fjalët e tyre; Amerika deklaron rregullisht preferencën e saj për hapin përfundimtar që të gjitha palët t'i kthehen marrëveshjes në Vjenë, por sillet në mënyrë hipokrite në media dhe në realitet". Amir Abdollahian theksoi: "Nëse pretendimi i amerikanëve për zgjidhje diplomatike është i vërtetë, ata nuk mund të kërkojnë në një mënyrë tjetër të marrin pikë në media, nëse vijat tona të kuqe respektohen, ne jemi të gatshëm të hedhim hapat përfundimtarë për të arritur një marrëveshje".