Janar 02, 2023 08:21 Europe/Tirane
  •  Shefi i IRIB kritikon sanksionet perëndimore

Drejtori i Përgjithshëm i RTV të Republikës Islamike të Iranit (IRIB) ka dënuar sanksionet e vendosura nga perëndimi kundër transmetuesit IRIB, duke thënë se sanksionet janë në kundërshtim me parimin e lirisë së fjalës dhe një manifestim i qartë i "diktaturës mediatike".

 

Peyman Jebelli e bëri deklaratën në një intervistë duke elaboruar për qasjen monopoliste dhe diktatoriale të mediave anti-iraniane si dhe vendosjen e sanksioneve të rrepta nga Perëndimi ndaj IRIB dhe filialeve të tij pas trazirave të fundit të mbështetura nga jashtë në Iran. “Për vite me radhë, ne kemi qenë dëshmitarë të mospërputhjes së dukshme midis pretendimeve dhe veprimeve të atyre që pretendojnë se janë kampionë të fjalës së lirë, demokracisë dhe respektit për shoqërinë, një nga shembujt e të cilave është shkelja e të drejtave të njeriut nga SHBA duke sanksionuar RTV-në  e Republikës Islamike të Iranit”, tha Jebelli për agjencinë e lajmeve Fars. “Kur institucionet perëndimore dhe ndërkombëtare lëvizin për të bojkotuar IRIB-in, tregojnë se diktatura dhe cenimi i lirisë së fjalës, me të cilën shurdhuan veshët e gjithë botës për vite me radhë, ndodh kaq lehtë”, shtoi ai. Duke theksuar se IRIB është media kombëtare e Iranit, Jebelli tha se organizata prodhon përmbajtje dhe jep informacion në përputhje me nevojat e shoqërisë dhe kontribuon në përparimin e vendit. “Nëse supozohet të ketë liri të shprehjes, media kombëtare iraniane si një platformë për të shprehur pikëpamjet e njerëzve dhe për të menaxhuar opinionin publik do të bëjë punën e saj, dhe mediat e tyre gjithashtu do të bëjnë punën e tyre, dhe të dyja palët duhet të kenë lirinë të bëjnë punën e tyre”, tha shefi i IRIB.“Si është e mundur që mediat anti-iraniane, të cilat janë të zëna ditë e natë me nxitjen e rebelimit, trazirave të dhunshme, duke krijuar përmbysje dhe duke minuar sigurinë e Iranit dhe vendeve të tjera, veprojnë lirshëm në zemër të Evropës dhe asnjë nga udhëzimet rregullatore të medias nuk zbatohet për ato?”, shtoi Jebelli. “Por IRIB, e cila është një media specifike për kufijtë e Republikës Islamike të Iranit dhe funksionon sipas ligjit, sipas mendimit të tyre, shkel rregullat dhe ata nuk mund të tolerojnë as ekzistencën e kësaj organizate dhe kësaj media në satelitë?” Kreu i IRIB theksoi se, "Ky është një nga shembujt shumë të dukshëm të diktaturës mediatike me të cilën jemi përballur qartë në ngjarjet e fundit".