Kryeministri i Palestinës: Bota duhet të hapë sytë
Kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar të marrë parasysh krimet që Izraeli kryen çdo ditë në territoret e pushtuara.
Duke folur në fillim të takimit javor të kabinetit të mbajtur në Ramallah, Shtayyeh tha se ushtarët dhe kolonët izraelitë do të vazhdojnë të kryejnë aktivitete kriminale kundër popullit palestinez për sa kohë që ata nuk përballen me përgjegjësi apo ndëshkim. Ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore që të heqin dorë nga një mbështetje e pakushtëzuar për regjimin sionist. Mbrojtësit e Izraelit në Kombet e Bashkuara dhe platformat ndërkombëtare duhet “të hapin sytë dhe zemrat e tyre dhe të shohin këto krime të kryera çdo ditë kundër popullit tonë”, tha ai. Kryeministri palestinez kritikoi miratimin nga parlamenti izraelit të një sërë ligjesh racore dhe diskriminuese me qëllim të përjetësimit të okupimit, aneksimit dhe mohimit të të drejtave të kombit palestinez. Shtayyeh dënoi veçanërisht një "ligj emergjent" racist që synon aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar, si dhe një ligj që kërkon heqjen e shtetësisë dhe rezidencës së aktivistëve palestinezë në shkelje flagrante të konventave ndërkombëtare dhe kartave të të drejtave të njeriut.