Ministri i punëve të jashtme saudit thekson nevojën për dialog me Damaskun
Ministri i punëve të jashtme të Arabisë Saudite duke iu referuar fillimit të rishikimit të qasjes së vendeve arabe ndaj krizës siriane, theksoi zhvillimin e dialogut me Damaskun.
Me fillimin e krizës siriane në mars të vitit 2011, Arabia Saudite dhe një numër vendesh të tjera arabe u bënë mbështetësit kryesorë të grupeve opozitare të qeverisë së Bashar Asad dhe mbyllën dyert e ambasadave të tyre në Damask dhe ndërprenë marrëdhëniet e tyre me Sirinë.
Ministri i punëve të jashtme të Arabisë Saudite, Fajsal bin Farhan Al Saud të shtunën (më 18 shkurt) në konferencën e Munihut, deklaroi se ekziston një konsensus jo vetëm në vendet e Gjirit Persik, por edhe në të gjithë botën arabe që situata në Siri të mos vazhdojë në të njëjtën mënyrë që ka vazhduar deri më tani.
Bin Farhan theksoi: "Ne të gjithë kemi politika dhe strategji, këto politika duhet të jenë të tilla që kriza të zgjidhet dhe ne duhet t'i rishikojmë këto politika. Ekziston një krizë refugjatësh në Liban dhe Jordani, e cila ka ndikuar në ekonominë e të dy vendeve dhe ka shkaktuar shumë vuajtje pas tërmetit në Siri, dhe si rrjedhojë duhet të trajtohet dimensioni njerëzor i çështjes sa me shpejt te jete e mundur. Duhet të ketë një dialog me Damaskun për të arritur këto synime, veçanërisht për dimensionin njerëzor të çështjes dhe kthimin e refugjatëve".
Pas tërmetit katastrofik në Siri dhe Turqi dhe dëmeve të shumta materiale dhe njerëzore në disa provinca siriane, Arabia Saudite ishte e pranishme në procesin e dërgimit të ndihmave humanitare për Sirinë. Të martën (më 14 shkurt), avioni i parë saudit që transportonte ndihma për viktimat e tërmetit mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Alepos në Siri.