Bashkëpunimi i vendeve nën sanksione, një zgjidhje për të neutralizuar sanksionet
Në takimin me Presidentin e Bjellorusisë, Lideri Suprem i Revolucionit Islamik, duke iu referuar shumë të përbashkëtave mes Iranit dhe Bjellorusisë, tha: Vendet e sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë së bashku për ta eliminuar këtë taktikë.
Të hënën, Ajetollah Khamenei, gjatë takimit me Alexander Lukashenko, Presidentin e Bjellorusisë dhe delegacionin e tij shoqërues, renditi si një nga të përbashkëtat midis Iranit dhe Bjellorusisë, sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende perëndimore dhe shtoi: "Vendet që janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe duke formuar një grup të përbashkët, të eliminojnë taktikën e sanksioneve dhe ne besojmë se kjo është e mundur." Taktika e embargos është ende një nga mjetet në dispozicion të vendeve perëndimore, me në krye Amerikën, për të ushtruar presion ekonomik dhe politik mbi vendet e pavarura, me qëllim izolimin dhe dorëzimin e tyre. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara së bashku me aleatët e tyre kanë vënë prej vitesh nën sanksione të njëanshme dhe të paligjshme vendet e pavarura dhe rivale, të cilat përfshijnë Republikën Islamike të Iranit, Bjellorusinë, Rusinë, Sirinë dhe Kubën. Kjo ndodh ndërkohë që hegjemonia politike dhe ekonomike e Perëndimit është në rënie dhe bota po shkon drejt multipolarizimit. Vendet nën sanksione si Irani, Rusia dhe Kina po konsolidojnë marrëdhëniet dhe po reduktojnë mbështetjen te Perëndimi dhe madje po çlirohen nga dominimi i dollarit. Në këtë kuadër mund të vlerësohet edhe tendenca drejt formimit të aleancave rajonale dhe ndërkombëtare në formën e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait ose grupit të fuqive ekonomike në zhvillim (BRICS). Prandaj, përvoja e vendeve të sanksionuara tregon se politikat e embargos, veçanërisht nga amerikanët, nuk kanë qenë gjithmonë efektive, sepse edhe ekonomia botërore po distancohet nga parametrat e dominuar nga perëndimi dhe po kthehet në një ekonomi globale multipolare, dhe nëse vendet e sanksionuara mbështeten në aftësitë e brendshme dhe bashkëpunimin me njëri-tjetrin, ata mund të vazhdojnë në rrugën e tyre të zhvillimit, ku një shembull i qartë është ai i Republikës Islamike të Iranit. Një vështrim mbi përparimin e Iranit në fusha të ndryshme industriale, ushtarake dhe shkencore tregon qartë se presionet politike dhe ekonomike të Perëndimit nuk kanë arritur të frenojnë komponentët e fuqisë së Republikës Islamike. Arritja e teknologjive të avancuara në fushat e nanoteknologjisë, hapësirës ajrore, qelizave burimore dhe shkencës bërthamore janë shembuj të përparimit të Iranit dhe të gjitha këto janë arritur nën sanksione. Duke iu referuar sanksioneve të SHBA-së kundër Iranit që nga fitorja e Revolucionit Islamik dhe vendosjes së sanksioneve më të ashpra gjatë 12 viteve të fundit, Ajetollah Khamenei tha: "Sanksionet e rënda e bënë Iranin të vërente aftësitë dhe forcat e tij të brendshme. Gjatë periudhës së sanksioneve, Iranit i janë ofruar shumë baza për përparim dhe vendi ynë arriti të bëjë përparime tërheqëse në fusha të ndryshme, duke përfshirë shkencën dhe teknologjinë, mjekësinë dhe biologjinë, hapësirën ajrore, si dhe në shkencën bërthamore dhe nanoteknologji”. Presidenti i Bjellorusisë tha se "Republika Islamike e Iranit bëri përparime të mëdha dhe fitoi përvoja të mahnitshme nën sanksione dhe ne besojmë se nëse kushtet e krijuara nga sanksionet përdoren siç duhet, ato mund të ofrojnë një mundësi për përparim”.