Mars 30, 2023 07:13 Europe/Tirane
  • Irani shpreson se marrëveshja e bashkëpunimit strategjik  do të finalizohet shpejt

Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian ka shprehur shpresën se një marrëveshje bashkëpunimi strategjik me Rusinë do të finalizohet brenda "më pak se një muaji".

“Rishikimet mbi marrëveshjen e bashkëpunimit strategjik afatgjatë ndërmjet dy vendeve janë finalizuar në Rusi. Irani gjithashtu e ka shqyrtuar atë. Shpresoj që në më pak se një muaj, rishikimi përfundimtar i marrëveshjes do të kryhet nga Ministria e Jashtme e Iranit”, tha Amir-Abdollahian në një takim me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, të mërkurën në Moskë. “Delegacionet e larta iraniane dhe ruse në nivele të ndryshme po shkëmbejnë mendime dhe presidentët e të dy vendeve janë në kontakt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin", tha ministri i Jashtëm iranian. Në vitin 2001, Teherani dhe Moska nënshkruan një marrëveshje10-vjeçare bashkëpunimi që u zgjat në 20 vjet përmes dy zgjatjeve pesëvjeçare. Tani, të dy kryeqytetet po kërkojnë të nënshkruajnë një dokument mbi bashkëpunimin strategjik dypalësh, i cili mund të përcaktojë marrëdhëniet e tyre për njëzet vitet e ardhshme. Gjithashtu në fjalën e tij, kryediplomati iranian theksoi se marrëdhëniet Iran-Rusi po përparojnë në rrugën e duhur, duke shpresuar se bashkëpunimi dypalësh në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare do të vazhdojë siç duhet. Lavrov, nga ana e tij, tha se bisedimet ndërmjet Iranit dhe Rusisë në fusha të ndryshme janë duke avancuar në mënyrë aktive. Ai vuri në dukje se marrëdhëniet Teheran-Moskë në fushat politike, tregtare, investuese dhe ekonomike si dhe zbatimi i projekteve kryesore janë zhvilluar me ritme të larta.