Kryeministri i Izraelit anulon fjalimin në Tel Aviv nga frika e protestave
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka anuluar një fjalim të planifikuar të sponsorizuar nga Federatat Hebraike të Amerikës së Veriut (JFNA) në Tel Aviv pas raportimeve se të pranishmit kishin planifikuar të protestonin kundër paraqitjes së tij.
Protestuesit planifikuan të bllokonin rrugët, të protestonin dhe të qëndronin me bluza të zeza ku shkruhet "demokraci" në hebraisht për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj 'reformave gjyqësore' të Netanyahut. Organizatorët e protestës thanë në një deklaratë se ata dyshonin se anulimi i fjalimit të kryeministrit izraelit të dielën ishte një mashtrim dhe nuk do të ndryshonte planet e tyre për protestë. Pa dhënë asnjë shpjegim, JFNA tha se Netanyahu “kishte informuar se nuk ishte në gjendje të paraqitej”. Në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve, organizatorët e manifestimit shtuan se presin me padurim të dëgjojnë një fjalim nga Presidenti Isaac Herzog sonte. Herzog i ka bërë thirrje Netanyahut dhe aleatëve të tij që të tërhiqen nga reforma gjyqësore që ka shkaktuar protesta të paprecedenta në rrugë anembanë Izraelit për muaj të tërë dhe dënim nga komuniteti ndërkombëtar. Njoftimi i anulimit të fjalimit të kryeministrit izraelit erdhi pasi qindra mijëra protestues dolën në rrugë në të gjithë territoret e pushtuara të shtunën për të 16 javën radhazi kundër 'reformave gjyqësore' të Netanyahut.