Irani rihap zyrtarisht ambasadën në Arabinë Saudite
Irani rihapi zyrtarisht ambasadën e tij në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad të martën, disa muaj pasi të dy vendet ranë dakord të rivendosin marrëdhëniet e tyre diplomatike sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kina.
“Ne e konsiderojmë sot një ditë të rëndësishme në marrëdhëniet e Republikës Islamike të Iranit dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite”, tha zëvendësministri i Jashtëm iranian Alireza Bigdeli në një ceremoni të ngritjes së flamurit. “Bashkëpunimi mes dy vendeve po hyn në një epokë të re”, shtoi ai. Rihapja e ambasadës do të lehtësojë udhëtimet midis Iranit dhe Arabisë Saudite, pasi ata janë përpjekur të rivendosin fluturimet direkte, të nxisin tregtinë dhe të rindërtojnë lidhjet e biznesit. Ndërsa Arabia Saudite nuk e ka rihapur ende ambasadën e saj në Teheran, rivendosja e marrëdhënieve diplomatike do t'u mundësojë pelegrinëve iranianë të aplikojnë më lehtë për viza saudite për pelegrinazhin e ardhshëm të Haxhit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kana’ani tha të hënën se diplomatët iranianë tashmë kanë filluar të ndihmojnë pelegrinët iranianë për Haxhin. Ai tha se konsullata e Iranit do të rihapet gjithashtu në qytetin port saudit të Xheddas këtë javë. Më 10 mars, pas disa ditësh negociatash intensive të organizuara nga Kina, Irani dhe Arabia Saudite ranë dakord të rivendosin lidhjet diplomatike dhe të rihapin ambasadat shtatë vjet pasi marrëdhëniet e tyre u ndërprenë. Ata ranë dakord të zbatonin një marrëveshje bashkëpunimi për sigurinë e nënshkruar në prill 2001 dhe një marrëveshje tjetër të arritur në maj 1998 për të nxitur bashkëpunimin ekonomik, tregtar, investues, teknik, shkencor, kulturor, sportiv dhe çështjet e rinisë.