Hezbollahu detajon humbjet izraelite në kufirin libanez që nga 8 tetori
Grupi libanez Hezbollah deklaroi se gjatë raundit aktual të luftimeve, ka vrarë ose plagosur 120 ushtarë izraelitë.
Kanali televiziv libanez Al-Manar, të martën vonë publikoi një infografik që i atribuohet mediave ushtarake të grupit, duke përfshirë numrin e humbjeve të ushtrisë izraelite në kufirin libanez, gjatë një periudhe prej 23 ditësh, që nga 8 tetori, një ditë pas sulmit të befasishëm të grupit palestinez Hamas mbi territoret e pushtuara nga Izraeli.
“Hezbollahu ka kryer 105 sulme që nga 8 tetori, duke synuar sistemet e inteligjencës dhe të komunikimit, sistemet e bllokimit dhe 33 radarë (sonda)”, sipas kanalit Al-Manar.
“Hezbollahu shkatërroi 2 transportues trupash, 2 Humvee (mjete ushtarake) dhe 9 tanke. Shënjestroi 120 ushtarë që u vranë ose u plagosën, gjithashtu edhe 105 pozicione ushtarake, si dhe shkatërroi 69 sisteme të komunikimit; po ashtu shkatërroi edhe 140 kamera vëzhgimi dhe 17 sisteme bllokimi.”
Hezbollahu ishte gjithashtu në gjendje të “shkatërronte 33 radarë dhe 27 sisteme të inteligjencës dhe të rrëzonte një dron. Si rezultat i operacioneve të Rezistencës, 28 vendbanime u evakuuan dhe 65,000 kolonë u zhvendosën në brendësi të territorit të pushtuar”, po sipas kanalit.
Më herët Hezbollahu është shprehur se të martën pasdite, kishte shënjestruar një forcë këmbësorie izraelite pranë vendndodhjes izraelite Al-Jardah me predha artilerie, duke shkaktuar viktima të konfirmuara.
Ai njoftoi se luftëtarët e tij shënjestruan me armë vendndodhjen izraelite Al-Marj. Gjithashtu, ata shënjestruan me raketa të dirigjuara një tank Merkava ndërsa lëvizte në afërsi të Kazermës Pranit, si dhe shënjestruan një forcë izraelite në afërsi të vendndodhjes izraelite Orontes.
Përleshjet kufitare që nga 7 tetori kanë qenë më vdekjeprurëset që kur Hezbollahu dhe Izraeli zhvilluan një luftë të gjerë në vitin 2006, kur grupi libanez goditi qytetet kryesore izraelite me raketa, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Tensioni kufitar vjen pasi Izraeli zgjeroi operacionet ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi në qytetet kufitare izraelite.