Nëntor 07, 2023 19:29 Europe/Tirane
  • Hamasi: Lirimi i robërve pengohet nga sulmet izraelite

Brigadat Al-Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, deklaroi të martën se është “gati të lirojë” 12 robër të marrë në Gaza, por “situata në terren” - sulmet ajrore dhe tokësore izraelite – “është ajo që e pengon këtë të realizohet”.

Izraeli tha se 241 persona u kapën rob nga Hamasi që kur nisi sulmin e tij më 7 tetor. Katër janë liruar deri më tani – dy izraelitë dhe dy amerikanë, raportoi Al-Jazeera.

Në një postim në kanalin e Brigadave Al-Kassam në Telegram thuhet se kjo organizatë ishte gati “të lironte 12 të arrestuar në Gaza që kanë shtetësi të huaja, por pushtimi e pengoi këtë”.

Të shtunën, zëdhënësi i Brigadave Al-Kassam, Abu Ubaida tha se më shumë se 60 robër izraelitë në Rripin e Gazës kanë humbur për shkak të sulmeve të pandërprera ajrore të regjimit kundër territorit të bllokuar.

“Që nga 7 tetori e deri më tani, bombardimet barbare të regjimit sionist mbi territorin e Gazës kanë shkaktuar humbjen e më shumë se 60 robërve të armikut në Gaza”, tha ai.

Zëdhënësi shtoi se trupat e 23 robërve janë bllokuar nën rrënojat e ndërtesave dhe strukturave që janë shkatërruar nga sulmet izraelite.

Më 28 tetor, udhëheqësi i Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar tha në një deklaratë se grupi ishte i përgatitur për një shkëmbim “të menjëhershëm” të të burgosurve me Izraelin, por regjimi po stepet.

Në fund të muajit të kaluar, Hamasi publikoi një video të tri grave të kapura izraelite që shprehnin zemërim ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për refuzimin e tij për të rënë dakord për një marrëveshje shkëmbimi dhe një armëpushim./Fars News

 

Tags