Nëntor 22, 2023 08:06 Europe/Tirane
  • Hamasi lëshon një deklaratë për marrëveshjen e armëpushimit me regjimin izraelit

Lëvizja e Rezistencës Islamike Palestineze (Hamas) konfirmoi marrëveshjen e armëpushimit me regjimin izraelit të mërkurën në mëngjes dhe publikoi përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje që do të shihte një shkëmbim të ndërsjellë të të burgosurve.

Që nga fillimi i agresionit izraelit kundër palestinezëve, të paktën 13,000 vetë janë vrarë, duke përfshirë mbi 9,000 gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 30,000 të tjerë janë plagosur, sipas shifrave të fundit nga autoritetet palestineze. Gjithashtu, mijëra ndërtesa, duke përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar.

Në deklaratën e Hamasit thuhet: “Pas negociatave të vështira, të ndërlikuara dhe të gjata, ju njoftojmë se me ndihmën e Zotit të Madhërishëm dhe përpjekjet e mëdha të palëve katarase dhe egjiptiane, kemi arritur një marrëveshje armëpushimi humanitar (armëpushim i përkohshëm) për 4 ditë.”

Më tej, Hamasi njoftoi dispozitat e kësaj marrëveshjeje, sipas të cilave do të ndërpriten konfliktet nga të dyja palët, aktivitetet ushtarake të ushtrisë së regjimit izraelit në të gjitha zonat e Gazës, si dhe lëvizja e mjeteve të blinduara të këtij regjimi në Gaza.

Sipas kësaj marrëveshjeje, qindra kamionë të posaçëm që transportojnë ndihma humanitare, ndihma mjekësore dhe karburant do të hyjnë në të gjitha zonat e Gazës pa përjashtim.

Hamasi shtoi se 50 gra dhe fëmijë izraelitë nën moshën 19 vjeç do të lirohen kundrejt 150 grave dhe fëmijëve palestinezë nën moshën 19 vjeç, bazuar në të dhënat e të burgosurve.

Në vazhdim të kësaj marrëveshjeje thuhet: “Sulmet dhe fluturimet e mjeteve fluturuese dhe avionëve luftarakë të regjimit izraelit do të ndërpriten gjatë katër ditëve të armëpushimit në jug të Gazës, ndërsa në veri të Gazës për 6 orë nga ora 10:00 deri në orën 16:00 pasdite.

"Ndërsa shpallim këtë marrëveshje armëpushimi, ne pohojmë se duart tona do të qëndrojnë në këmbëza dhe Brigadat tona do të qëndrojnë në gatishmëri për të mbrojtur popullin tonë dhe për të përzënë armikun", - thuhet më tej në njoftim.

Më herët, burimet e lajmeve kishin raportuar se kabineti sionist kishte pranuar dhe miratuar zyrtarisht marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve me Hamasin.

Izzat al-Risheq, anëtar i zyrës politike të Hamasit, në një intervistë për televizionin Al-Jazeera, tha se armëpushimi me Izraelin do të shpallet nga Katari.

Sipas tij, në bazë të kësaj marrëveshjeje, nga të dyja palët diskutohen çështjet e mbërritjes së ndihmave në Gaza dhe liria e grave dhe e fëmijëve.

 

Tags