Armëpushimi në Gaza zgjatet për të shtatën ditë
Armëpushimi midis grupit të Rezistencës Palestineze të Hamasit dhe regjimit izraelit u zgjat të enjten për të shtatën ditë.
Ushtria e regjimit izraelit tha mëngjesin e së enjtes se pauza e përkohshme në luftimet në Rripin e Gazës do të vazhdojë “në dritën e përpjekjeve të ndërmjetësve për të vazhduar procesin e lirimit të të burgosurve, dhe në varësi të kushteve të marrëveshjes”.
Në një deklaratë të veçantë, edhe Hamasi tha se është arritur një marrëveshje për të zgjatur armëpushimin e përkohshëm, i cili fillimisht startoi të premten.
Pauza aktuale ishte caktuar të skadonte në orën 7 të mëngjesit me orën lokale (05:00 GMT).
Udhëheqësit ushtarakë të regjimit sionist kishin rritur retorikën e luftës të mërkurën përpara skadimit të marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin, i cili kishte urdhëruar krahun e tij ushtarak të ishte gati për luftim në rast se armëpushimi nuk do të zgjatej.
Në ditën e gjashtë të armëpushimit, u liruan 16 pengje të tjerë nga Gaza, duke përfshirë 10 izraelitë, 4 shtetas tajlandezë dhe 2 izraelito-rusë. Ata përfshinin një shtetas të dyfishtë izraelito-amerikan. Tridhjetë palestinezë janë liruar gjithashtu nga burgjet izraelite, thanë zyrtarët.
Katari tha se 10 nga robërit e liruar ishin pjesë e marrëveshjes ekzistuese të armëpushimit, ndërsa katër shtetas tajlandezë dhe dy ruso-izraelitë u liruan të ndarë nga ajo marrëveshje.
Më shumë se 15 mijë palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori.