Dhjetor 01, 2023 21:03 Europe/Tirane
  • Rezistenca palestineze dhe libaneze u kundërpërgjigjën ndërsa Izraeli rifillon bombardimin e Gazës

Brigadat Al-Kasam kanë lëshuar breshëri raketash në Tel Aviv dhe qytete të tjera në territoret e pushtuara nga Izraeli në përgjigje të bombardimeve izraelite ndaj civilëve në Gaza, ndërsa luftëtarët palestinezë u përfshinë në përleshje të ashpra me trupat izraelite brenda Gazës.

Brigadat Al-Kasam, krahu i armatosur i lëvizjes së rezistencës Hamas, tha në deklarata të veçanta të premten se qëlloi me raketa qytetet Askelon, Ashdod, Sderot, Netivot dhe Beersheba, si dhe bazën ushtarake Ra'im.

Krahu i armatosur i lëvizjes së rezistencës Hamas tha gjithashtu se luftëtarët e tij sulmuan forcat izraelite në Gazën veriore, duke shkatërruar një tank izraelit dhe një transportues trupash.

Ata sulmuan një grup ushtarësh izraelitë të vendosur brenda një ndërtese në Beit Hanun duke përdorur katër predha anti-personel dhe anti-fortifikim, thuhet në deklaratë.

Më vete, Brigadat al-Kuds, krahu ushtarak i Xhihadit Islamik Palestinez, tha se sulmoi disa qytete në përgjigje të bombardimeve izraelite. Brigadat al-Kuds tha se kishte sulmuar me 107 raketa bazën sioniste Kissufin.

Lëvizja tha se luftëtarët e saj ishin përfshirë në përleshje të ashpra me ushtarët izraelitë pranë spitalit Al-Rantisi në lagjen Al-Nasr në qytetin e Gazës.

Brigadat Al-Kuds thanë gjithashtu se luftëtarët e saj rrëzuan një dron izraelit të tipit Skylark në qendër të Gazës.

Lëvizja e rezistencës libaneze Hezbollah gjithashtu rifilloi operacionet e saj anti-izraelite në mbështetje të rezistencës në Gaza, sulme të cilat ishin në pauzë gjatë gjithë armëpushimit shtatëditor.

Lëvizja Hezbollah tha se ka sulmuar grupe ushtarësh izraelitë në pozicionet ushtarake Jal al-Alam, Al-Marj dhe Ramya, si dhe kazermat Ramim.

Artileria e okupatorit izraelit sulmoi disa zona në Libanin jugor, duke vrarë një nënë dhe djalin e saj në qytetin libanez Houla. Hezbollahu është zotuar se kufiri Liban-Palestinë do të mbetet një vijë aktive e frontit për sa kohë që agresioni i Izraelit kundër Gazës të vazhdojë.

 

 

Tags