Ansarullah: Ne do të përballemi me çdo koalicion detar të SHBA
Një anëtar i byrosë politike të lëvizjes Ansarullah paralajmëroi se ata do të përballen me çdo koalicion që SHBA do të formojnë në Detin e Kuq.
Pas sulmeve të gjera të ushtrisë sioniste në Rripin e Gazës, ushtria jemenase, në mbështetje të popullit palestinez, ka mundur të sulmojë disa anije izraelite apo anije të destinuara për në territoret e pushtuara nga regjimi sionist.
Sipas agjencisë së lajmeve Iran Press, Mohammed al-Bukhaiti, një anëtar i byrosë politike të lëvizjes Ansarullah, njoftoi të martën se nëse Amerika sulmon Jemenin, ajo do të dështojë ushtarakisht dhe moralisht.
Duke theksuar se forcat e armatosura të Jemenit kanë mundësi të dhimbshme për t’iu përgjigjur çdo agresioni kundër Jemenit, al-Bukhaiti tha se “ne synojmë vetëm anijet që janë ose izraelite ose që shkojnë drejt regjimit sionist”.
Al-Bukhaiti vuri në dukje se Jemeni synon të ruajë sigurinë e transportit detar dhe deklaroi se “ne veprojmë vetëm kundër interesave të regjimit sionist dhe do të përballemi me çdo koalicion të formuar nga Amerika në Detin e Kuq”.
Zëdhënësi i lëvizjes Ansarullah të Jemenit, Mohammed Abdul-Salam, theksoi edhe një herë se kalimet detare në Detin e Kuq dhe Detin Arabik janë të sigurta dhe se nuk ka asnjë rrezik për anijet.
Duke theksuar se nga kjo kategori përjashtohen anijet e regjimit sionist ose ato të destinuara për në Palestinën e pushtuar, Abdul-Salam tha: “Kjo çështje është për shkak të agresionit mizor dhe rrethimit të Rripit të Gazës”.
Zëdhënësi i Ansarullah tha se forcat e armatosura nuk do të lejojnë anijet të nisen për në portet izraelite dhe të udhëtojnë në Detin Arabik dhe Detin e Kuq, përveçse nëse ato transportojnë ilaçe dhe ushqime për banorët e Rripit të Gazës.