Janar 06, 2024 19:37 Europe/Tirane
  • Ministri izraelit bën thirrje për “mënyra më të dhimbshme se vdekja” për palestinezët

Një ministër izraelit i ekstremit të djathtë i ka bërë thirrje regjimit të udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu që “për banorët e Gazës, të gjejë mënyra që janë më të dhimbshme se vdekja” për të thyer moralin e tyre dhe për t’i mposhtur ata, ashtu siç bëri ushtria amerikane me Japoninë.

Duke folur në një intervistë me radiostacionin izraelit 103 FM, Amichai Eliyahu tha se Izraeli duhet të diktojë betejën duke shfryrë moralin e palestinezëve në territorin e rrethuar dhe duke u shkaktuar atyre dhimbje përmes shkatërrimit të shtëpive, thyerjes së ëndrrës së tyre kombëtare dhe zhvendosjes.

Ministri izraelit tha se banorëve të Gazës nuk duhet t’u lihet asnjë alternativë tjetër veçse të emigrojnë në vende të tjera si pjesë e masave hakmarrëse kundër tyre pas operacionit të papritur “Stuhia Al-Aksa” të kryer nga fraksionet e Rezistencës me bazë në Gaza, të nisura si përgjigje ndaj dekadave të gjata të pushtimit nga ana e regjimit sionist, shtypjes së palestinezëve dhe përdhosjes së Xhamisë al-Aksa.

Eliyahu kritikoi gjithashtu ministrin e çështjeve ushtarake Yoav Gallant për planin që ai zhvilloi për periudhën e pasluftës, sipas të cilit, çështjet civile në Rripin e Gazës do të trajtoheshin nga palët palestineze që nuk janë armiqësore ndaj Izraelit. Ai argumentoi se asnjë grup nuk i përshtatet këtij përshkrimi.

Në nëntor, ministri izraelit bëri thirrje për hedhjen e një bombe bërthamore në Gaza.

Eliyahu i përket partisë së ekstremit të djathtë Otzma Yehudit, e drejtuar nga Itamar Ben-Gvir. Partia mbështet ndërtimin e vendbanimeve dhe rimarrjen e kontrollit mbi Rripin e Gazës.

Në fillim të këtij muaji, lëvizja e rezistencës palestineze Hamas denoncoi si “një krim lufte të shoqëruar me agresion kriminal” thirrjen e fundit të një ministri izraelit për banorët palestinezë të Gazës që të largohen nga rajoni i rrethuar, në mënyrë që kolonët të kthehen në zonë pas luftës.

Hamasi, në një deklaratë të dielën mbrëma, dënoi thirrjen e ministrit izraelit të Financave Bezalel Smotrich për të zhvendosur dy milionë palestinezë dhe për të mbajtur rreth 200,000 në Gaza, dhe e cilësoi atë si “tallje të turpshme”.

Grupi tha se komuniteti ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara duhet të ndërmarrin veprime vendimtare për të ndalur krimet dhe për t’i mbajtur liderët izraelitë përgjegjës për atë që i kanë bërë popullit palestinez.

“Populli ynë, njerëzit tanë e kanë deklaruar qëndrimin e tyre. Ata do të qëndrojnë të vendosur përballë të gjitha përpjekjeve për t’i zhvendosur nga tokat dhe shtëpitë e tyre deri në çlirimin e plotë të territoreve të pushtuara dhe kthimin e të gjithë refugjatëve”, thuhet në deklaratë.

Shumica e palestinezëve të shpërngulur nga atdheu i tyre pas Nakba-s (Katastrofës), kur Izraeli shpalli ekzistencën e tij të paligjshme më 15 maj 1948, kanë përfunduar në shtetet fqinje arabe.

Udhëheqësit arabë kanë pohuar se çdo veprim i ditëve të mëvonshme, që synon dëbimin me forcë të palestinezëve, do të ishte absolutisht i papranueshëm.

 

Tags