Janar 13, 2024 10:07 Europe/Tirane
  • Ushtria amerikane kryen një sulm të ri në kryeqytetin e Jemenit

Ushtria amerikane tha se ka kryer një sulm të ri raketor në Jemen, duke synuar një vendndodhje radari në kryeqytetin Sana’a në përgjigje të sulmeve pro-palestineze të jemenasve.

Ushtria amerikane pretendoi se sulmi i ri, i cili u krye në orën 03:45 me orën lokale (00:45 GMT) të shtunën në mëngjes, goditi një pozicion radari që i përkiste lëvizjes së rezistencës Ansarullah të Jemenit.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se sulmi në infrastrukturën e radarit u nis nga anija amerikane Carney e Marinës së SHBA-së duke përdorur raketa Tomahawk.

Në një postim në mediat sociale, CENTCOM e përshkroi sulmin si një “veprim pasues” nga breshëritë e përbashkëta raketore SHBA-Mbretëri e Bashkuar të enjten vonë në mbrëmje, për të cilat SHBA-të thanë se kishin shënjestruar objektet ushtarake të Huthëve të Ansarullahut në të gjithë Jemenin.

Rrjeti televiziv jemenas në gjuhën arabe, Al-Masirah, raportoi sulmin raketor amerikan herët të shtunën dhe citoi një korrespondencë lokale të thoshte se agresioni kishte shënjestruar bazën al-Dailami në kryeqytetin Sana’a.

Më herët, të premten, avionët luftarakë amerikanë dhe britanikë shënjestruan me 73 raketa pesë rajone të Jemenit, duke përfshirë kryeqytetin Sana’a dhe provincat Hudajdah, Ta’iz, Haxhah dhe Sa’da, duke vrarë të paktën pesë persona dhe duke plagosur gjashtë të tjerë.

Gjeneral-brigade Jahja al-Sari’e, zëdhënës i Forcave të Armatosura të Jemenit, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar mbajnë përgjegjësinë e plotë për ‘agresionin kriminal’ dhe sulmi kundër vendit nuk do të mbetet ‘pa përgjigje dhe pa u ndëshkuar’.

Jemenasit kanë deklaruar mbështetjen e tyre të hapur për luftën e Palestinës kundër pushtimit izraelit që kur regjimi sionist filloi një luftë shkatërruese në Gaza më 7 tetor, fill pasi lëvizjet e rezistencës palestineze të territorit kryen një sulm hakmarrës të befasishëm, të quajtur Operacioni Stuhia Al-Aksa, kundër entitetit pushtues.

Fushata e pamëshirshme ushtarake izraelite kundër Gazës ka vrarë të paktën 23357 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Gjithashtu, 59410 persona të tjerë janë plagosur.

Raportet zbuluan se kompanitë izraelite të transportit kanë vendosur tashmë të ndryshojnë rrugën e anijeve të tyre nga frika e sulmeve nga forcat jemenase.

Forcat jemenase kanë nisur gjithashtu sulme me raketa dhe dronë në objektiva të ndryshëm në territoret e pushtuara nga Izraeli pas agresionit të regjimit ndaj Gazës.

 

Tags