Korrik 22, 2021 10:10 Europe/Tirane
  • MASHTRIMI/ Paratë e gjobës për Becchettin gati që në vitin 2019

Përkundër deklaratave qeveritare se biznesmeni italian nuk do marrë “asnjë kokërr leku” nga buxheti i shtetit, faktet thonë të kundërtën. Shuma prej 110 milionë eurosh është parashikuar që në vitin 2019, kur Shqipëria humbi në arbitrazh përballë tij.

Drejtoresha e Open Data Albania shprehet se për çdo vit të pashlyer tarifohet një kamatë vonesë në masën 3% të shumës. Në total nga humbjet në arbitrazh qeveria shqiptare i detyrohet kompanive një shumë prej 260 milionë eurosh, që nga një përllogaritje të thjeshte rezulton diku tek 400 deri në 500 euro për çdo familje. Deri më tani askush s’është vënë para përgjegjësisë për gjithë këtë dëm që u shkaktohet parave që vijnë nga taksat.

Qeveria shqiptare do t’i paguajë 110 mln euro sipërmarrësit italian, Francesco Becchetti. Në një intervistë televizive, ministrja e Financave Anila Denaj tha se detyrimet ndaj Becchettit do të shlyhen kur vendimi të jetë i formës së prerë. Nga një përllogaritje e të gjitha gjyqeve që ka humbur shteti shqiptar në arbitrazh, taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë në total 263 mln euro kompanive dhe biznesmenëve për ndërprerje të padrejta të kontratave.

Open Data Albania shkon më tej kur thotë se pagesa për Francesco Bechettin është parashikuar që në vitin 2019 duke paraqitur dhe dokumentet përkatës për këtë qëllim. Me pak fjalë, qeveria përgjatë dy viteve por edhe gjatë fushatës elektorale ka gënjyer kur thoshte se Bechetti nuk do marrë asnjë lek nga buxheti shqiptar i shtetit “Në Raportet Zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Shtetit Shqiptar detyrimi për çështjen Beçheti është njohur që në 2019. Çdo vit vonesë në shlyerje për këtë detyrim rritet me KAMATE që është normë LIBOR plus 3% interes të përbërë, kamatë që e rrit detyrimin çdo vit me disa milion Euro shtesë.

Shkak i mosmarrёveshjeve mes palёve është pengesa për realizimit e investimeve nё hidrocentralin e Kalivaçit, Televizionin AgonSet dhe impjantin e trajtimit tё mbetjeve nga kompanitё Hydro s.r.l dhe Costruzioni s.r.l. Palë përveç Francesco Beçheti në pretendim janë edhe aksionerët e tjerë Mauro De Renzis, Stefania Grigolon dhe Liljana Condomitti” shprehet drejtoresha e Open Data Aranita Brahaj në një status të sajin në rrjetet sociale të cilin e shoqëron dhe me dokumentet përkatëse.

Bechetti në sulm

Dy ditë më parë vetë Françesko Becchetti kishte sponsorizuar një banderolë në mes të Romës me titullin “Unë fitova”, por nuk kishte mjaftuar me kaq ka hapur dhe një “sajt” online të quajtur “parlo io”, në shqip “flas unë” ku shkruan për gjyqin ndaj Shqipërisë.

Ndërsa në shkrimin e web-it shkruhet se si ndodhi përplasja mes tij dhe qeverisë, Becchetti shkruan se vendimet në lidhje me mbylljen e Agon Channel TV të lëshuar nga Gjykata e Tiranës ishin kulmi i një fushate politike të kryer nga Shqipëria përmes përdorimit të paligjshëm të kompetencave të saj policore kundër Francesco Beçhetti dhe të tjerëve.

“Më 24 Prill 2019, Gjykata Ndërkombëtare ICSID, e Bankës Botërore, një organ përgjegjës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis shteteve dhe investitorëve të huaj, lëshoi njëzëri një vendim të arbitrazhit, konfirmuar unanimisht nga Komiteti ICSID më 2 Prill 2021, i cili konstaton se paligjshmëria e veprimeve të ndërmarra nga autoritetet shqiptare kundër Francesco Beçhetti dhe grupit të tij të biznesit, në shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar. Vendimet në lidhje me mbylljen e Agon Channel TV të lëshuar nga Gjykata e Tiranës ishin kulmi i një fushate politike të kryer nga Shqipëria përmes përdorimit të paligjshëm të kompetencave të saj policore kundër Francesco Beçhetti dhe të tjerëve”, thuhet në sitin e administruar nga Bechetti.

Totali

Në total janë 263 milionë euro që shteti shqiptar duhet të paguaj si pasojë e humbjeve ndaj kompanive në arbitrazh, para që natyrisht dalin nga xhepat e taksapaguesve. Dhe për këtë nuk ka asnjë përgjegjës, ndërkohë që rasti i Francescho Bechettit është më flagranti. Deri më tani nga ana e SPAK nuk është ndërrmarë asnjë veprim i cili do identifikonte apo të çonte para drejtësisë  personat përgjgjës për  këtë situate.

Nga një llogari e thjeshtë rezulton se çdo shqiptari dhe atij të sapolindur do i duhet të paguajë një shumë të përafërt me 100 euro, ose në total  një mesatare prej 400-500 euro për çdo familje shqiptare. Në çdo vend tjetër me sadopak shtet ligjor instancat përkatëse do ishin shkundur. Nga të dhënat ka dalë se ish avokatja e shtetit Alma Hiçka ka qenë në konflikt të pastër interesi në lidhje me çështjet që trajtonte në arbitrazh.

Kjo sepse ajo mbronte në seanca interesat e shtetit shqiptar, por në të njëjtat seanca mbronte interesat e palës kundërshtare dhe kompania ligjore ku bashkëshorti i saj ishte aksioner. Hiçka pas lënies së detyrës iu kthye profesionit të gjyqtares, për t’u shkarkuar më pas nga Vettingu./MAPO