Euro pikiatë/ Banka e Shqipërisë e pafuqishme përballë parasë kriminale
Një raport i Komisionit Ekonomik në Kombet e Bashkuara e ka cilësuar Tiranën si një nga shtatë kryeqytetet kryesore europiane me nivele të larta të papërballueshmërisë së blerjes së një banese. Për t’u nënvizuar në këtë analizë për strehimin, raporti i OKB-së shprehej se rritja e çmimeve mund të jetë ndikuar nga pastrimi i parave.
“Deri në 32 për qind e pronave rezidenciale dhe komerciale të shitura në gjashtëmujorit të parë të vitit 2021 janë blerë nga jorezidentë; pastrimi i parave ndoshta ka qenë një faktor kontribuues i rritjes së çmimeve në Tiranë dhe në zonat bregdetare”, thuhet në raportin e dedikuar për Shqipërinë.
Paratë e pista të krimit që pastrohen në ndërtime në Tiranë kanë qenë shpesh objekt i raporteve të huaja, por këtë vit ka ndodhur edhe një fenomen tjetër që i dedikohet kriminalizimit të ekonomisë: luhatja e shpejtë e vlerës së euros dhe lekut në kursin e këmbimit.
Gjatë muajve të verës, kur euro arriti një zhvlerësim të paprecedent, Banka e Shqipërisë u detyrua të forconte masat për të zbutur efektet negative në ekonomi. Nga 160-220 milionë euro që kishte planifikuar të blinte nga tregu i brendshëm, vendosi të shtonte edhe 80 milionë euro të tjera, duke e çuar kufirin në 300 milionë euro.
Vendimi u mor pasi euro shkoi thuajse 1 me 1 me lekun, duke shtuar humbjet te kompanitë eksportuese, duke shtuar pagesat e kredive me lekë apo duke zhvlerësuar vlerën e parave të emigrantëve.
Në një shpjegim që bënte për këto luhatje, guvernatori Gent Sejko thoshte se zhvlerësimi i euros ishte pasojë e 1) fluksit të turistëve që u dyfishuan këtë vit, 2) si pasojë e parave që sillnin emigrantët dhe 3) si pasojë e investimeve të huaja.
“Kemi rritje të të ardhurave të hyra nga turizmi që thuajse është dyfishuar, nga investimeve direkte. Kemi blerje të pasurive të patundshme dhe rritje të remitancave. Këto 3 kanale kanë burime të mjaftueshme hyrjesh në valutë të huaj, kryesisht në euro”, thoshte Sejko gjatë verës.
Shpjegimi i guvernatorit përputhet edhe me atë të qeverisë. Edhe ish-ministrja e financave, Delina Ibrahimaj rendiste të njëjtat arsye për zhvlerësimin e euros, duke e vënë theksin tek numri i lartë i turistëve që kishin ardhur në vendin tonë.
Por javët e fundit të nëntorit, euro pësoi një ulje të shpejtë që nxjerr bllof jo vetëm shpjegimet e burokratëve, por edhe masat që mori Banka e Shqipërisë. Këtë të premte euro u këmbye me 101 lekë, ndërsa dita-ditës vlera e saj po kap ato të korrikut dhe të gushtit.
Çështja është që tashmë sezoni turistik ka mbaruar. Justifikimi për numrin e lartë të turistëve nuk qëndron, ndërsa Banka e Shqipërisë po rezulton e pafuqishme të frenojë fenomenin. Kjo nuk është rastësi. Pastrimi i parave të pista është tabu për Sejkon, që nuk ka guxuar ndonjëherë të dalë jashtë vijave të kuqe që ia ka caktuar qeveria.
Një shpjegim më real i këtyre luhatjeve të kursit të këmbimit duket ai që bëjnë tregtarët eksportues, të cilët e kanë ndjerë në xhepat e tyre humbjen e parave nga zhvlerësimi i euros. Sipas tyre, forcimi i lekut nuk kishte asnjë lidhje me zhvillimin ekonomik apo me investimet e huaja dhe prurjet e emigrantëve, por me paratë e krimit që hidhen në treg për t’u pastruar.
Në një letër që i dërguan Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe BERZH-it ata ankoheshin se “Luhatjet e mëdha dhe të përkohshme që dëmtojnë rëndë eksportuesit dhe turizmin duket se ndikohen edhe nga paratë informale apo kriminale në ekonominë shqiptare, kryesisht në pasurinë e paluajtshme dhe bizneset fitimprurëse”.
Qeveria Rama ndërmori hapa konkretë që t’i hapte rrugë fluksit të parave që shqiptarët mbajnë jashtë vendit nëpërmjet një projektligji për amnistinë fiskale. Por nisma, që do t’i lejonte çdo emigranti të sillte në Shqipëri deri në 2 milion euro, është kundërshtuar fort nga ambasadorët e huaj dhe për momentin po mbahet pezull.
Përveç eksportuesve, një shtresë tjetër që dëmtohet nga zhvlerësimi i euros janë edhe ato familje që ndihmohen nga emigrantët shqiptarë, pasi dërgesat e tyre humbin vlerë. Rreth 26% e familjeve shqiptare jetojnë plotësisht ose pjesërisht nga dërgesat e emigrantëve dhe janë prekur ndjeshëm nga forcimi i lekut./Lapsi.al