E vërteta e skandalit me menaxhimin e mbetjeve në Fier
Kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi, zyrtarët e Bashkisë dhe kompania e Klodian Zotos u përpoqën dje që të justifikonin situatën katastrofike nga djegia e mbetjeve në Fier, duke dhënë arsye pse kjo situatë. Syri TV ka bërë një analizë të fakteve, kur rezulton se si drejtuesit e bashkisë edhe kompania e Zotos kanë gënjyer dhe se kjo situatë është krijuar vetëm prej neglizhencës dhe abuzimeve me fondet.
Një seri faktesh të pavërteta ose gjysmë të vërteta po shoqërojnë reagimet e orëve të fundit, pas dështimit spektakolar me menaxhimin e mbetjeve urbane në qytetin e Fierit.
Kryebashkiaku Armando Subashi, vartësi i tij në Ndërmarrjen e Pastrimit, Arjan Ndreu dhe kompania koncensionare “Integrated Technology Treatment Waste Fier” reaguan vetëm ditën e enjte, rreth 4 ditë pasi tymi i djegies së mbeturinave në landfillin e amortizuar të Mbrostarit mbyti qytetin.
Dhe, reagimi i tyre mbështillej i gjithi në justifikime dhe me premtimet se “situata do të zgjidhet shumë shpejt”.
Megjithatë, qëndrimet publike të tre aktorëve mbartin në vetvete fakte, të cilat tregojnë për problematika në të gjitha hallkat e menaxhimit.
Syri TV bëri një “fact check” mbi deklaratat e Subashit, Ndreut dhe kompanisë së Klodian Zotos, duke i përballur me të tjera të dhëna zyrtare.
Rezultati duket se nuk shkon aspak në favor të justifikimeve zyrtare dhe pasoja është dëmi që u shkaktohet qytetarëve të Fierit.
Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, u shfaq publikisht pranë landfillit të Sheqit mbrëmjen e së enjtes.
Ai deklaroi se problemi i menaxhimit të mbetjeve urbane të qytetit do të zgjidhej shumë shpejt dhe se situata ishte shkaktuar për shkak të vonesave infrastrukturore, sidomos në ndërtimin e një pike transferimi për mbetjet, si edhe për ndërtimin e rrugës që do të mundësojë dorëzimin e mbetjeve nga qyteti drejt inceneratorit.
Justifikimi i parë i Subashit ishte ngritja e një pike transferimit të mbetjeve, e cila do të shërbejë si vend-depozitim paraprak i plehrave, para se të dërgohen në landfillin e Klodian Zotos.
Tenderi për ngritjen e një pike transferimi, më saktë një magazine në formë kapanoni për të cilin janë vendosur të shpenzohen rreth 200 mijë euro, ka përfunduar në 5 mars 2021.
Sipas kushteve të kontratës, ndërtimi i këtij kapanoni duhet të përfundonte brenda 6 javësh, pra maksimalisht deri në fund të Majit të këtij viti.
Por, tashmë ka mbërritur fundi i Korrikut dhe kapanoni, siç kuptohet nga deklarimet e Subashit, nuk ka përfunduar ende.
Justifikimi i dytë i kryebashkiakut të Fierit ishte fakti i mungesës së rrugës që lidh qytetin me landfillin e Klodian Zotos dhe se, për këtë investim, ai është duke pritur përgjigjen nga Ministria e Mjedisit nëse duhet të ndërtohet me paratë e bashkisë apo nga koncensionari.
Lidhur me këtë detaj, “Syri TV” raportoi pak ditë më parë, duke evidentuar edhe një situatë skandaloze të kryebashkiakut Subashi.
Kontrata koncensionare, e nënshkruar në vitin 2016 ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe “Integrated Technology Treatment Waste” parashikon që kompania private ka detyrimin për të ndërtuar akset që lidhin landfillin me rrjetin rrugor shqiptar.
Por, pavarësisht këtij përcaktimi të qartë në kontratë, Armando Subashi shpalli në prill 2021 një tender me vlerë 200 mijë euro për rikonstruksionin e rrugës që lidh qytetin me landfillin.
Pas reagimeve mediatike, Subashi u detyrua të anulonte procedurën, pavarësisht se në deklaratën publike të së Enjtes në mbrëmje, ai deklaroi se tenderi është “pezulluar”.
Dokumentat tregojnë se deklaratat e Subashit janë të pavërteta.
Justifikimet e kryebashkiakut për situatën e keq-menaxhimit të mbetjeve, u paraprinë nga deklarimet publike të vartësit të tij, Arjan Ndreu, drejtues i Ndërmarrjes së Pastrimit të Fierit.
I cituar nga agjencia BIRN, Ndreu deklaroi se situata e plehrave do të zgjidhet shpejt dhe se problemi ka qenë tek mungesa e makinerive teknologjike, të cilat do të transportojnë mbetjet e qytetit deri në landfill.
Por, edhe ky justifikim rrëzohet, në bazë të dokumenteve zyrtare.
Të dhënat e siguruara nga “Syri TV” tregojnë se vonesa në blerjen e kamionëve të mbeturinave është e gjitha përgjegjësi e bashkisë së Fierit.
Në janar dhe prill 2021, bashkia e Subashit ka shpallur dy herë tender për blerje mjetesh teknologjike.
Dhe, në të dy rastet, tenderat janë anuluar, për shkak se Bashkia e Fierit ka bërë llogaritë gabim.
Aktori i tretë që paraqiti justifikimet e saj për gjendjen katastrofike me plehrat në Fier, ishte shoqëria koncensionare e landfillit, “Integrated Technology Treatment Waste”.
Kompania e Klodian Zotos tha se reagimi i saj vjen pas keqinterpretimeve mediatike.
Në njoftimin për media, zyra e Zotos sqaroi se kompania është e pajisur me Leje Mjedisore e tipit A, e cila i lejon përpunimin e mbetjeve urbane.
Gjithashtu, koncensionari u shpreh se i ka bërë dy herë kërkesë Bashkisë së Fierit për të dorëzuar mbetjet në landfill, një herë në maj 2020 dhe herën e dytë në maj 2021.
Të dhënat e prezantuara nga kompania koncensionare nuk koordinohen me zhvillime të tjera, të ndodhura jo më larg se pak muaj më parë.
Në tetor 2020, ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, u shfaq në landfillin e Klodian Zotos dhe deklaroi se punimet aty do të përfundonin në fund të vitit, pra në muajin dhjetor, megjithëse kishte një vit që kishte përfunduar afati kontraktor për ndërtimin e vend-depozitimit dhe inceneratorit.
Ky fakt tregon se landfilli nuk ishte gati në maj 2020, kur koncensionari deklaron se i ka kërkuar Bashkisë së Fierit që të dorëzonte mbeturinat për përpunim.
Po ashtu, kompania e Zotos rezulton që është e pajisur me Leje Mjedisore e Tipit A.
Por ajo është e pamjaftueshme për të bërë përpunimin e mbetjeve që gjenden të pandara në kontenierët e plehrave në qytet.
Në dijeni të këtij fakti, “Integrated Technology” ka kërkuar rreth 1 vit më parë zgjerimin e lejes mjedisore, ku të përfshihen edhe përpunimi i mbetjeve të rrezikshme jo-aktive.
Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit e kanë refuzuar këtë kërkesë të kompanisë së Zotos, pasi rezulton se nuk plotëson kushtet dhe kriteret e nevojshme.
Ky konflikti është në shqyrtim pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe ende nuk ka marrë zgjidhje.
Pra, pavarësisht se kompania e Zotos justifikohet që i ka bërë thirrje dy herë Bashkisë së Fierit për të dorëzuar mbetjet në landfillin e saj, duket se ajo nuk është ende e gatshme që të përpunojë të gjithë llojet e mbetjeve që grumbullohen në qytet, sidomos ato të rrezikshme jo-radioaktive.
Përtej të gjithë këtyre justifikimeve, fakti mbetet që investimi 28 milion euro për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit nuk është realizuar dhe qytetarët e Fierit prej ditësh po mbyten nga tymi i zi dhe bloza e krijuar nga djegia e plehrave./Syri