Gusht 04, 2021 16:07 Europe/Tirane
  • Propaganda e tre viteve më parë/ Sot vendi në flakë, helikopteri i FA në shërbim të Ramës

Ish-Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka deklaroi 3 vjet më parë se Shqipëria kishte 12 fishuar kapacitetet për shuarjen e zjarreve

Keto deklarata ajo i bëri gjatë një demonstrimi në Farkë të Tiranës ku prezantoi para deputetëve të Komisionit të Sigurisë helikopterët “Kugar” për fikjen e zjarreve. Po ku ishin keto kapacitete gjatë këtyre 2 javëve ku Shqiperia është nën pushtetin e flakëve?

3 vjet më parë, me 6 korrik të vitit 2018, Ministrja e Mbrojtjes se asaj kohe Olta Xhacka demonstroi para deputetëve, anetarë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, kapacitetet e siguruara nga qeveria shqiptare për luftën kundër zjarreve. Demonstrimi u krye në Farkë të Tiranës dhe ministrja prezantoi me pompozitet Helikopterët Cougar të Forcës Ajrore të cilet, siç tha ajo, kanë 12 fishuar kapacitetet e vendit për luftën kundër zjarreve.

“Prej ditës së sotme, infrastruktura e Forcave të Armatosura është përmirësuar, pas pajisjes së helikopterëve me kovat e posaçme, të cilat kanë një kapacitet prej 2500 litra uji. Ky kapacitet në fakt është 12 herë më i madh sesa përpjekjet e shkuara apo kapacitet e shkuara që nuk kanë qenë tonat por i kemi nënkontraktuar për të adresuar problemin e shuarjes së zjarreve. Përtej infrastrukturës dhe kapaciteteve ushtarake, fuqia dhe forca jonë e vërtetë mbeten pa diskutim djemtë dhe vajzat tona në uniformë që zbresin në terren që në momentet e para kur kërkohet ndihma për sigurimin e jetës dhe pronës së qytetarëve.”-

Ndoshta në këtë ditë lindi edhe pasioni i veçantë për helikopterët i ish-ministres se mbrojtjes Olta Xhacka e cila nuk nguroi ti përdorë ata për vizitat e shpeshta në qarkun e Dibrës, ku partia e kishte caktuar si drejtuese politike.

Tashmë Shqipëria ka dy javë që është përfshirë nga dhjetra zjarre massive, të cilat perveç dëmeve të pallogaritshme në pyje, kullota prodhime bujqësore apo turizëm shkaktuan ditën e djeshme edhe viktimën e parë njerëzore në Gjirokastër. Helikopteri i parë për fikjen e zjarreve u shfaq vetëm para 4 ditësh në Vlorë ndërkohë që Karaburuni, Tragjasi apo Dukati kishte mbi 1 javë nën pushtetin e flakëve. Xhaçka fliste para 3 vjtetësh për 12 fishim të kapaciteteve në luftën kundër zjarreve por se çfarë mjetesh përdorin de fakto në terren strukturat e emergjencave civile, na njohu dje publikisht Haki Çako, ish-vartesi i Olta xhaçkës.

Por për çfarë përdoren realisht helikopteret e forcës ajrore të vendit. Syri TV siguroi dje një video skandaloze që tregon sesi helikopteri i ushtrisë në vend që të jetë në aksion për shuarjen e zjarreve po përdoret për lëvizjet private të kryeministri Edi Rama. Video e siguruar nga SYRI TV tregon sesi vetëm pak minuta pasi Shqipëria shënoi viktimën e parë nga zjarri në Lunxheri të Gjirokastrës, helikopteri i ushtrisë në vend që të ishte duke fluturuar drejt Gjirokastrës për të ndihmuar fikjen e zjarreve, ndodhej në stadiumin e Himarës për të zhvendosur kryeministrin Edi Rama në udhëtimet e tij personale.

Ajo që e bën më të trishtë situatën është momenti kur tregon sesi zjarri i është afruar kodrave të Himarës ndërsa helikopteri në vend që të ngarkohet me ujë, ngarkohet me kryeministrin e Shqipërisë.

Gjate këtyre ditëve shqiptaret mesuan se sa të braktisur janë ata nga strukturat e shtetit sa herë përballen me fatkeqësi të tilla si zjarret, permbytjet apo tërmetet.

Operacionet e shpëtimit që kryen shteti shqiptar janë në formën e mengjeseve të punës, si ai në farkë të Tiranes 3 vjet më parë, ku ish-ministrja e mbrojtjes, prefektët e qarqeve, strukturat e Forcave të Armatosura që angazhohen në këto situata si edhe deputetët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, xhironin filma me helikopter të cilat u shfaqeshin qytetareve në edicionet e lajmeve të pasdites./Syri