Gusht 08, 2021 14:30 Europe/Tirane
  • Qeveria që retushon realitetin tragjik Covid me 'muaj të hapur' vaksinash të pasigurta!

Nga Prof. Dr. Tritan Shehu. Qeveria do të retushojë realitetin tragjik Covid me “muaj të hapur” vaksinash të pasigurta, ndërsa vendi që është me numrin e vdekjeve Covid ndër më të lartat në botë ( mbi 16 mijë) rrezikon edhe më rëndë

Nga të dhënat epidemiologjike Covid në përkeqësim edhe këto ditë; me sasinë e injektimeve të vaksinimit ndër më të ultat në botë; me cilësinë e vaksinave kryesore në përdorim ndër më të pasigurtat në botë, që as Kosova nuk i pranon.

Qeveria vetëm propagandon kur duhet të deklarojë qartësisht:

Pse Shqipëria, edhe në nivelin sasior është vetëm te 43,2 injeksione (vaksinimi kërkon 2) për 100 banorë, kur mesatarja botërore ka kaluar në 56,4 e hyn kështu në nivelin e vendeve afrikane?

Pse Shqipëria edhe për llojin e vaksinave të përdorura renditet në listën e vendeve të Afrikës me dominimin e atyre shumë larg sigurisë?

Pse nuk ka asnjë studim zyrtar imunizimi të popullsisë, që imponohet edhe prej lënies jashtë kontrollit për mbi 18 muaj të epidemisë, dominimit në përdorim të vaksinave të paçertifikuara?

Cila është strategjia në ritme, afate, llojet e vaksinave për përfundimin e imunizimit të popullsisë që kërkon vaksinimin e plotë të 85% të popullsisë mbi 12 vjeç e jo vetëm mbi 18, pra mbi 5 milionë doza të sigurta për ne?

Cila do të jetë strategjia për të korrigjuar gabimin e rëndë të përdorimit masiv të vaksinave të pasigurta kineze, duke filluar me bllokimin e tyre: ripërsëritja e plotë e procesit apo me një dozë të tretë të sigurtë etj? Kjo kërkon konkluzione urgjente, veçanërisht në përballjen me Deltën, ku kjo vaksinë nuk mbron.

Çfarë po bëhet për fillimin e përdorimit të dozës së tretë të vaksinave mbas shtatorit, në tërësi për të vaksinuarit?

Këto janë çështjet që duhet t’i përgjigjet zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë, përpara se të organizojë “muaj të hapur” vaksinash të paçertifikuara, të cilat dhe vendet prodhuese apo eksportuese i heqin nga përdorimi duke i ofruar ato për vende të dorës së dytë e importuar për vete qindra milionë doza të çertifikuara.

Shqiptarët nuk janë kaviet e planetit, ata meritojnë së paku siguri medikamentoze si e gjithë bota e zhvilluar, jo “placebo"!/Syri