Pas tre muajsh përgjime, arrestohen në një lokal në Peshkopi 4 shpërndarës droge
Pas tre muajsh hetime, Policia e Dibrës ka zhvilluar operacionin e koduar "Eklipsi” kundër drogës. Policia ka arrestuar katër persona që shpërndanin kokainë dhe kanabis dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.
U arrestuan D. K, 21 vjeç, E.N, 24 vjeç, K.K, 36 vjeç dhe E.Sh, 40 vjeç të gjithë banues në Peshkopi. Gjithashtu u shpall në kërkim T. T., 23 vjeç.
Arrestimi ndodhi në një lokal në qytetin e Peshkopisë, ku gjatë kontrollit Policia gjeti një sasi dozash me kokainë dhe 500 doza cannabis.
Policia sekuestroi 2 automjetet dhe 8 aparate celular, që përdornin të arrestuarit.
Ata akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër./Syri