Tetor 14, 2021 08:00 Europe/Tirane
  • Skandal në ‘Drejtësinë e Re’! Një i arrestuar, kandidat për gjyqtar

Institucionet e reja të drejtësisë kanë kualifikuar për gjyqtar Elis Dinen, një person i arrestuar 8 vite më parë për pengmarrje të ish-të dashurës së tij. Por teksa integriteti i figurws së gjyqtarit, është një ndër pikat e rëndësishme të Reformës së Drejtësi, duket se Elis Dine është përjashtuar nga ky fakt duke mos e penalizuar atë

Institucionet e Drejtësisë së Re dhe asaj të reformuar janë përfshirë në një situatë skandaloze. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Shkolla e Magjistraturës kanë kualifikuar për gjyqtar Elis Dinen, një person i arrestuar 8 vite më parë për pengmarrjen e ish-të dashurës së tij, në qytetin e Fierit.

Dine tashmë është në vitin e fundit të Magjistraturës dhe pas një viti pritet të marrë emërimin si gjyqtar, duke qenë një prej atyre që do të plotësojë vakancat e krijuara nga largimi i gjyqtarëve të Drejtësisë së vjetër.

Në prill të vitit 2013, media ka publikuar informacione zyrtare policore, në bazë të të cilave raportohet se Elis Dine, në atë kohë 23 vjeç, është arrestuar në flagrancë nga uniformat blu, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë”, në dëm të një gjimnazisteje. Gjykata e Fierit ndaj tij ka caktuar masën e sigurimit “detyrim për paraqitje”, ndërkohë që prokuroria e Fierit rezulton se ka pushuar hetimet ndaj tij pas 3 muajsh.

Megjithatë, fakti që ai është arrestuar në flagrancë, shënon një minus të madh në integritetin personal të kandidatit për gjyqtar, Elis Dine. Por, Shkolla e Magjistraturës dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, e kanë këtë situatë të kandidatit për gjyqtar. Shkolla e Magjistraturës, e cila bën filtrin paraprak të kandidatëve për magjistratë, e ka kualifikuar Dinen, në 24 prill 2019.

Më pas, dokumentacioni për kandidatin për magjistrat, Elis Dine, ka kaluar për shqyrtim në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Në 4 nëntor, KLGJ vendosi të kualifikojë kandidatin, megjithëse, siç rezulton nga vendimi i siguruar nga “Syri Tv”, çështja e arrestimit të tij është shqyrtuar gjerësisht.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë në dispozicion aktet nga prokuroria e gjykata e Fierit, lidhur me arrestimin dhe hetimin e zhvilluar ndaj tij në vitin 2013. Po ashtu, KLGJ ka marrë edhe opinionin e kandidatit, i cili shprehet se ndihet shumë i keqardhur për atë që ka ndodhur me ish-të dashurën e tij. “E parë sot atë që ndodhi, do ta gjykoja dhe unë të papranueshme, por ndodhi, e tashmë të gjithë këto vite jam bërë shumë më i kujdesshëm”, është rrëfyer kandidati për magjistrat para Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Pendesa e tij, si edhe normalizimi i raporteve me ish-të dashurën, duket se e ka ndihmuar atë që të shpëtojë nga hetimi dhe dënimi. Por, gjithsesi, kjo ngjarje është një njollë shumë e fortë në integritetin e kandidatit për gjyqtar, e cila, mesa duket, është toleruar pa asnjë problem nga institucionet e “Drejtësisë së Re”./Syri