Nëntor 24, 2021 07:25 Europe/Tirane
  • Shpërthen viroza ‘duar, këmbë dhe gojë’, flet mjekja

Pediatria e Durrësit ka pritur me dhjetëra raste të fëmijëve të prekur nga viroza “duar, këmbë dhe gojë”, e cila po përhapet me shpejtësi në vendin tonë. Mjekët shprehen se numri i fëmijëve të prekur është shumë i lartë, duke u bërë apel prindërve që të kenë kujdes të shtuar për të vegjlit

Dhjetëra raste të fëmijëve të prekur nga viroza “duar, këmbë dhe gojë”, janë paraqitur për trajtim mjekësor në pediatrinë e Spitalit të Durrësit.

Kjo virozë, që prek kryesisht fëmijët e moshave 1 deri në 12 vjeç, shfaq komplikacione si temperatura e lartë apo puçrrat në pjesët e ndryshme të trupit. Pediatrja Marsela Manastirliu tregoi për Syri Televizion, se rastet e fëmijëve të prekur nga kjo virozë janë disa herë më të lartë se fëmijët e prekur nga Covid.

Lidhur me situatën nga Covid-19, mjekja e pediatrisë së Durrësit shprehet se në këtë repart nuk janë paraqitur raste të rënda, ndërkohë që kur ka pasur të tillë ata janë dërguar për trajtim në Tiranë.

Mjekët këshillojnë prindërit që të bëjnë kujdes në këtë periudhë, pasi shpesh virozat e stinës ngatërrohen me Covid-19 apo patologji të tjera, të cilat kanë ngjashmëri në simptoma midis tyre./Syri