Dhjetor 17, 2021 06:54 Europe/Tirane
  • Ryshfeti 3.7 mln euro/ Gazetarja: Nuk ndërtohet inceneratori me oriz

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka caktuar dje masën ‘arrest me burg’ për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka. Ish-zyrtari i lartë i PS-së akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre në lidhje me abuzimet me inceneratorët. Po si i përfitoi Lefter Koka 3.7 mln euro ryshfet?

Sipas dosjes, Lefter Koka ka krijuar në vitin 2016 një rrjet kompanish të lidhura me njëra-tjetrën si dhe të regjistruara në emrin të besuarve të tij, me vendndodhje në Durrës. Ky rrjet kompanish fantazmë ka marrë paratë nga dy kompanitë e inceneratorit, me anë të faturave fiktive, për punime që nuk ekzistonin. 

Rrjeti i kompanive të kontrolluara, sipas SPAK, nga Lefter Koka, i kalonin më pas paratë në llogaritë e kompanive të gruas së Lefter Kokës, Klodiana Koka dhe të vëllait të tij, Ilir Koka. Në 28 shtator të vitit 2016 është krijuar kompania ‘Pivot 04’, me seli në Durrës, në emër të Arbër Denizit. Kjo kompani ka faturuar dy kompanitë e inceneratorit të Elbasanit në shumat 1.3 milionë euro, por ka arketuar 1.75 milionë euro, pra më shumë se faturimi. Sipas SPAK, të gjitha faturat ishin për kryerje punimesh që në fakt nuk janë realizuar. Pagesa janë bërë në periudhën 28 shtator 2016 deri në janar 2017. Faturat kanë nisur që ditën e regjistrimit të ‘Privot’ në QKB, pra në datën 28 shtator.

Më pas, kompania ‘Pivot 04’ ka bërë blerje tek kompania ‘Sucralba’, me ortak dhe administrator, Ilir Kokën, vëllai i Lefter Kokës. ‘Sucralba’ e ka selinë tek ‘Kantina e Pijeve’ në pronësi të Lefter Kokës, i cili ka 88 % të aksioneve. ‘Pivot 04’ i kalon kompanisë së vëllait të Lefter Kokës shumat 1 milion euro, për ‘gjoja’ blerje sheqer dhe oriz.

Gazetarja Klodiana Lala tha për emisionin Të Paekspozuarit në MCN TV se në skemën e inceneratorëve ka të përfshirë shumë zyrtarë të lartë, të cilët janë duke u hetuar. Në emisionin “Të Paekspozuarit”, Lala tha se përmes inceneratorëve është krijuar një skemë fiktive, që tradhton veten në disa detaje.   

"Janë aktualisht nën hetim një numër i lartë zyrtarësh. Ende nuk mund të flas me emra. Por rezulton se inceneratorët kanë edhe të tjerë zyrtarë të përfshirë që duhej të ishin sot pas hekurave. Unë e kam lexuar këtë dosje. Flitet për një skemë fiktive. Njëra nga kompanitë e përfshira rezulton se ka blerë sheqer. Ka fatura fiktive. Sepse inceneratori nuk ndërtohet me sheqer e oriz"./Syri