Janar 02, 2022 11:05 Europe/Tirane
  • Zejtaria - thesari dhe amaneti i trashëguar brezi pas brezi i Gjirokastrës

Zejtari, trashëgimia kulturore e trashëguar brez pas brezi në qytetin e gurtë të Gjirokastrës.

Qendra muzeale e njohur si Qafa e Pazarit, është ikona e qytetit të gurtë të Gjirokastrës, në të cilën veprojnë biznese të ndryshme që janë po aq joshëse për turistët sa edhe vet arkitektura e saj.

Gjirokastra është një qytet që ka fillimet në shekujt III ose IV para erës së re dhe e ngritur në pesë kodra gjigante me një kështjellë si një titanik, vrojton krejt udhëkryqet e Ballkanit Jugor. Zejtaria është një nga mjeshtëritë e trashëguara brez pas brezi e njëherësh trashëgimia më autentike e qytetit, "pasuri e trashëgimisë kulturore botërore" në UNESCO.

Kjo trashëgimi ka nisur të rizgjohet vitet e fundit duke u vënë tërësisht në funksion të turizmit. Fjala zejtari këtu në Gjirokastër nënkupton punime artistike të realizuara me një mjeshtëri të rrallë e që për nga vlerat e tyre janë të pashoqe. 

Anastas Petridhi eshte nje nga drugdhendësit që e ushtron këtë zanat prej më shumë se 30 vitesh.

Syri TV u ndal në atelienë e tij në pazarin karakteristik të Gjirokastrës ku Petridhi rrëfen një copëz të jetës dhe krijimtarisë së tij.

Veç kësaj ai tregon edhe për vështirësitë që has  ky zanat. Pandemia Covid 19 ndikoi edhe tek zejtarët duke reduktuar blerjet e turistëve.

Nga ana tjetër, mjeshtri i madh pohon se si pushteti vendor dhe ai qendror nuk i ka ndihmuar. Ky zanat sipas Anastasit duhet të trashëgohet edhe tek brezat e rinj pasi drugdhendja është një nga zanatet që rrezikon të humbasë në qytetin e gurtë.

Vjollca Mezini është një nga artizanët më të vjetra të Pazarit të Gjirokastrës e cila ka mësuar nga gjyshja dhe nëna e saj, në moshë fare të vogël. Ajo punon me grep, gjilpërë, gjergjef, prerje në makinë, punë kryq, azhurë, mbushje, punime me shtiza, etj.

Cilësia e punimeve, ndërthurja e tyre, përshtatja e modeleve dhe kombinimi i ngjyrave, janë karakteristikat e krijimeve që mbajnë siglën e “Dorës së Artë”.

Për shkak të porosive që merr nga vendi por edhe nga shtete të ndryshme në Evropë dhë jo vetëm, ajo nuk mund të kryejë vetë gjithë punën. Për këtë ajo ka përzgjedhur disa gra artizane nga jugu me të cilat bashkëpunon prej vitesh.

Mezini thotë se ky sezon ka pasur turistë të huaj më së shumti por sërish jo në nivelet e duhura.

Ndërsa shton se të rinjtë duhet të kthejnë vëmendjen nga punimet e dorës pasi vetëm në këtë mënyrë nuk humbet tradita.

Në pazarin karakteristik të rindërtuar gati katërqindvjeçar, gjenden gjurmët e një tradite të punimit të leshit, të qëndismave, të sixhadeve por edhe të hekurit e të rozetave prej druri. Në këtë pazar po kultivohet edhe një nga zejet e hershme tëqytetit, kafja e gurit.

Qyteti me përreth 35,000 banorë është njohur nga dega kulturore e Kombeve të Bashkuara-UNESCO, si një vend historik që në vitin 2005. Viteve të fundit, ka zgjuar vëmendjen e shumë turistëve të interesuar në punët e dorës./Syri