Basha: Sot ishte dita e fundit e Berishës në politikë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për mediat pas protestës së zhvilluar sot në selinë e PD nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Para komunikimit me gazetarët, Basha ka zhvilluar një tur bashkë me mediat duke treguar dëmtimet brenda selisë së PD-së nga protesta. “Beteja e Sali Berishës nuk bëhet për askënd tjetër pëveç vetes dhe në këtë betejë nuk kursen askënd”, tha kreu i PD-së. Basha tha se “Berisha ka pasur sot, de fakto ditën e fundit politike në Shqipëri”. Sipas tij, kjo është një mundësi për demokratët për t’u shkëputur njëherë e mirë nga “trashëgimia e tij e zezë”. “Vula e kësaj tragjedie do të mbetet 8 janari”, deklaroi kreu i PD-së. Basha tha se Berisha dhe Rama janë si dy vëllezër siamezë, ku njëri manipulon zgjedhjet dhe tjetri kërkon të përdor PD-në për t’u mbrojtur. Kreu i PD vlerësoi punën e punonjësve të Policisë së Shtetit, por shprehu rezerva për rolin e drejtuesve të policisë. Ndërsa Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dënoi aktet e dhunës që kanë ndodhur sot në selinë e PD-së dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje. Në një reagim, delegacioni i BE-së thekson se “nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë”./ParsToday