4 të vdekur dhe 1697 raste të reja me COVID-19
Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë konfirmuar 1697 infektime të reja me COVID-19, ndërsa katër persona kanë humbur jetën nga virusi.
Rastet e reja pozitive kanë dalë nga 5280 testime që janë kryer, nga ku kanë rezultuar edhe 935 qytetarë të shëruar. Që prej fillimit të pandemisë në vend janë regjistruar 208,201 raste shërimi nga COVID.
Aktualisht në Shqipëri janë gjithsej 21,167 të infektuar me COVID-19. 148 pacientë janë të shtruar në spital, 15 prej të cilëve ndodhen në gjendje më të rënduar shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë i bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, si edhe të respektojnë masat në fuqi kundër COVID. Çdo qytetar mbi 16 vjeç, mund të vaksinohet në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqendruar. Vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku./ParsToday