Janar 25, 2022 10:42 Europe/Tirane
  • Dëmet nga shpërthimi me tritol në portën e Armand Dukës

Një sasi tritoli shpërtheu mbrëmjen e së hënës në portën e banesës së kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në Durrës.

Këto janë pamjet që vijnë nga porta e shtëpisë së Dukës. Aty është i vendosur një shirit ndërkohë që janë të qarta dëmet që shpërthimi i tritolit ka lënë në portë.

Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Brenda banesës në momentin e shpërthimit mësohet se ka qenë bashkëshortja e Dukës së bashku me djalin.

Duke folur për mediat, kreu i FSHF bëri të ditur pas ngjarjes se nga kqyrja e kamerave të sigurisë është vërtetuar se lënda plasëse është vendosur nga një person me kapuç. Duka tha se autorët duhet t’i zbulojë policia, duke mos pranuar të vendosë gishtin e përgjegjësisë.

Hetuesit kanë besimin se kamerat sigurisë në zonë do të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e itinerarit të lëvizjes së autorit./tvklan/